Presidentja e Sllovenisë, Nataša Pirc Musar, nga Ohri kritikoi ritmin e ngadaltë të zgjerimit të Bashkimit Evropian, duke theksuar se BE-ja duhet ta përmbushë obligimin e saj ndaj vendeve kandidate. Ajo bëri të ditur se Sllovenia është ndër 15 vendet anëtare që mbështesin vendimmarrjen me shumicë të kualifikuar, në mënyrë që një shtet i vetëm të mos mund ta bllokojë të gjithë procesin e zgjerimit.
“Fatkeqësisht, zgjerimi i Bashkimit Evropian ende po zhvillohet shumë ngadalë. Me të drejtë presim që vendet kandidate të zbatojnë reformat, të respektojnë sundimin e ligjit dhe vlerat evropiane. Megjithatë, edhe Bashkimi Evropian duhet ta përmbushë obligimin e tij. Duhet t’u mundësojmë vendeve që t’i përmbushin kriteret dhe të shënojnë përparim të vërtetë. Kolegu im nga Kroacia ka një mendim tjetër, por Sllovenia është njëra nga 15 vendet e BE-së që mbështesin votimin me shumicë të kualifikuar. Edhe pse qeveria ime e re është disi më skeptike për këtë çështje, ashtu siç ishte edhe qeveria e mëparshme, ne vazhdojmë ta mbështesim këtë qëndrim”, deklaroi Pirc Musar.


