Siljanovska-Davkova: Përparimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së është i rëndësishëm për gjithë rajonin

Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, ka vlerësuar se përparimi i Malit të Zi dhe Shqipërisë në procesin e integrimit evropian është një zhvillim i rëndësishëm jo vetëm për këto dy vende, por edhe për gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor, raporton Anadolu.

Pas takimit të liderëve të Procesit të Bërdo-Brionit të mbajtur në Ohër, Siljanovska-Davkova foli në një konferencë për media së bashku me vendet iniciatore të procesit, presidentin e Kroacisë, Zoran Milanoviq, dhe presidenten e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar. Ajo theksoi se përparimi i vendeve fqinje duhet të shihet edhe si përparim i përbashkët rajonal.

“Mali i Zi është para dyerve të Brukselit, ndërsa Shqipëria po shënon përparim. E konsideroj këtë përparim të rëndësishëm, pasi që nga viti 2013 pothuajse nuk ka pasur dyer të hapura për ne. Kjo paraqet një hap përpara dhe mendoj se përparimi i tyre është edhe përparimi ynë”, deklaroi presidentja Siljanovska-Davkova.

Duke folur për perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut, ajo theksoi se vendi përballet me një problem serioz lidhur me çështjet bilaterale, të cilat, sipas saj, nuk janë të ndërlidhura me kriteret e Kopenhagës. Sipas saj, ato kanë të bëjnë me çështje që “nuk nënkuptojnë evropianizim dhe, përkundrazi, nuk janë në përputhje me parimet dhe vlerat e përcaktuara në aktet themeluese të BE-së”.

Presidentja maqedonase gjithashtu vlerësoi rëndësinë e Procesit të Bërdo-Brionit, duke e cilësuar atë si një nga iniciativat më të mira dhe më frymëzuese për bashkëpunimin rajonal.

Sipas saj, kjo nismë dëshmon rëndësinë e mirëkuptimit dhe mbështetjes së ndërsjellë ndërmjet vendeve fqinje, duke pasur parasysh se ato ndajnë të njëjtën hapësirë gjeografike dhe interesa të përbashkëta.

“Është e rëndësishme ta dëgjoni fqinjin, të përpiqeni ta kuptoni dhe ta mbështesni, sepse gjeografia ka dashur që ne të jetojmë pranë njëri-tjetrit. Përparimi rajonal është shumë i rëndësishëm jo vetëm për rajonin, por edhe për vetë BE-në”, theksoi ajo.

Ajo paralajmëroi se lënia jashtë e vendeve të Ballkanit Perëndimor do të krijonte një vakum gjeopolitik në Evropë.

“Pa të ashtuquajturin Ballkan Perëndimor, do të lihet një vakum gjeopolitik, ndërsa në politikë nuk ekziston vakum”, përfundoi Siljanovska-Davkova.