Rama: Plani i Rritjes, moment vendimtar për Ballkanin Perëndimor dhe Europën

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor përbën një moment vendimtar, jo vetëm për vendet e rajonit, por edhe për vetë Bashkimin Europian.

Gjatë një takimi kushtuar Planit të Rritjes, Rama theksoi rëndësinë e vlerësimit të progresit të arritur dhe identifikimit të sfidave që e presin rajonin në procesin e integrimit europian.

“Nuk ka aspak dyshim që ky është një moment jashtëzakonisht vendimtar për Ballkanin Perëndimor. Është po kështu shumë vendimtar si moment për secilin prej vendeve të ulura rreth tryezës. Nuk ka aspak dyshim, po kështu, që është një moment tepër vendimtar për vetë Europën”, u shpreh Rama.

Ai tha se Shqipëria ka qenë entuziaste për nisjen e këtij procesi, i cili, sipas tij, ka vënë në lëvizje një qasje të re të integrimit gradual.

Rama vuri në dukje se vitet e fundit ka pasur rritje të konvergjencës mes gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Europian, por shtoi se ende mbetet shumë punë për t’u bërë.

Në vijim, kryeministri shqiptar foli edhe për rëndësinë e mbështetjes dhe bashkëpunimit europian në proceset e transformimit dhe ndërtimit të institucioneve në vendet e rajonit, duke iu referuar edhe traditës së dobët shtetërore dhe institucionale me të cilën ato janë përballur.