Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, u pajtua me deklaratën e samitit BE–Ballkani Perëndimor, në të cilën theksohet respektimi i të drejtave të pakicave, si dhe zbatimi i Marrëveshjes së Prespës dhe Marrëveshjes për miqësi me Bullgarinë.
Në deklaratën e harmonizuar në samitin në Bruksel, theksohet se marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, bashkëpunimi rajonal dhe zbatimi i marrëveshjeve ndërkombëtare me rezultate konkrete mbeten të rëndësishme për perspektivën evropiane të rajonit.
Dokumenti kërkon respektimin e Marrëveshjes së Prespës me Greqinë dhe Marrëveshjes për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim me Bullgarinë, si dhe përpjekje shtesë për zgjidhjen e kontesteve rajonale dhe bilaterale.
Edhe pse Mickoski, para samitit, përsëriti se nuk do të ketë ndryshime kushtetuese pa u dakorduar paraprakisht për një Plan aksional për pakicat, Maqedonia e Veriut u pajtua me deklaratën ku përmendet shprehimisht zbatimi i marrëveshjes me Bullgarinë.


