Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, ka bërë të ditur se kontrollet ndaj shoqërive financiare që ofrojnë kredi të shpejta kanë sjellë masa inspektuese dhe gjoba, ndërsa qytetarëve pritet t’u kthehen nga 140 deri në 200 milionë denarë.
Sipas Mexhitit, deri më tani janë kontrolluar 27 shoqëri financiare, ndaj të cilave janë shqiptuar 18 masa inspektuese. Ai thekson se lufta kundër kumarit dhe kredive të shpejta do të vazhdojë, me qëllim mbrojtjen e familjeve dhe mirëqenies financiare të qytetarëve.
“Beteja kundër kumarit dhe kredive të shpejta vazhdon me vendosmëri. Qëllimi ynë është i qartë, të mbrojmë familjet, të ardhurat dhe mirëqenien e qytetarëve nga praktikat që i rëndojnë financiarisht.
Kontrollet e realizuara në shoqëritë financiare kanë sjellë rezultate konkrete:
– 27 shoqëri financiare të kontrolluara;
– 18 masa inspektuese të shqiptuara;
– 140 deri në 200 milionë denarë që pritet t’u kthehen qytetarëve;
– Gjoba deri në 100.000 euro.
Nuk do të lejojmë që varësia nga kumari apo nevoja për para të shpejta të shfrytëzohen në dëm të qytetarëve. Paratë dhe dinjiteti i qytetarëve meritojnë mbrojtje. Ne do të vazhdojmë të veprojmë me kontrolle, përgjegjësi dhe zbatim të ligjit, pa përjashtim!”, ka shkruar Izet Mexhiti.


