Ferat Beqiri, vëllai i kryetarit të Komunës së Haraçinës, Daut Beqiri, ka bërë të ditur se familja Beqiri nuk do të jetë më në mbështetje të koalicionit VLEN dhe drejtuesve të tij.
Përmes një reagimi publik, Ferat Beqiri ka shprehur pakënaqësinë ndaj udhëheqësve të VLEN-it, duke i akuzuar se nuk kanë përmbushur pritshmëritë dhe zotimet ndaj mbështetësve të tyre.
“Dua të bëj me dije se familja Beqiri nuk është më në anën tuaj, po ashtu edhe vëllai im, Daut Beqiri”, ka shkruar Ferat Beqiri.
Si arsye për këtë vendim, ai ka përmendur rastin e një aktivisti të quajtur Jetmir, për të cilin pretendon se kishte dhënë kontribut në fitoren e VLEN-it në zgjedhjet komunale, por nuk kishte marrë mbështetjen e pritur nga drejtuesit e koalicionit.
Sipas Beqirit, Jetmiri ishte dënuar me 12 muaj burgim, ndërsa familja kishte kërkuar nga përfaqësuesit e VLEN-it që të ndihmonin në gjetjen e një zgjidhjeje ligjore për rastin e tij.
Ai pretendon gjithashtu se së fundmi Jetmiri është larguar nga hapësira ku ushtronte aktivitetin e tij dhe se dhomës ku qëndronte i është vendosur shiriti.
Në reagimin e tij, Ferat Beqiri ka shprehur pakënaqësi edhe për mënyrën se si, sipas tij, drejtuesit e VLEN-it po i trajtojnë mbështetësit dhe bashkëpunëtorët e tyre.
Në fund, ai ka paralajmëruar se kjo pakënaqësi mund të ketë ndikim edhe në zgjedhjet e ardhshme, duke vënë në pikëpyetje mbështetjen elektorale që koalicioni mund të marrë nga familja Beqiri.


