Autoritetet amerikane kanë miratuar një projekt ambicioz të kompanisë SpaceX, në pronësi të Elon Musk, për të lëshuar deri në një milion satelitë në orbitën e Tokës, me qëllim ndërtimin e qendrave të të dhënave në hapësirë. Ky është miratimi i parë i këtij lloji, raporton BBC.
Projekti, i njohur me emrin Starmind, synon të shfrytëzojë energjinë e Diellit për të furnizuar satelitët, të cilët do të përpunojnë të dhëna për inteligjencën artificiale (AI) dhe më pas do t’i dërgojnë rezultatet përsëri në Tokë.
Komisioni Federal i Komunikimeve (FCC) njoftoi të mërkurën miratimin e projektit, duke argumentuar se ai do të ndihmojë në mbështetjen e zhvillimit të shpejtë të ekonomisë amerikane të inteligjencës artificiale.
Vendimi vjen në një kohë kur në disa komunitete në Shtetet e Bashkuara ka pasur kundërshtime ndaj zgjerimit të qendrave të të dhënave në tokë, për shkak të kërkesave të tyre të mëdha për energji dhe burime.
Sipas SpaceX, qendrat e të dhënave në orbitë përfaqësojnë një zgjidhje më ekonomike dhe më efikase nga pikëpamja energjetike për të përballuar kërkesën gjithnjë në rritje për kapacitet kompjuterik në fushën e inteligjencës artificiale, kërkesë që, sipas kompanisë, po tejkalon mundësitë e infrastrukturës tokësore.


