Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, konfirmoi të mërkurën se i ka prezantuar Grupit Strategjik nismën e re ligjore për Dhomat e Specializuara dhe se grupi, në të njëjtën mbledhje, ka miratuar strategjinë shtetërore për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së në apel.
Strategjia përcakton mbështetjen shtetërore për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin në procesin e apelit në Hagë. Sipas Klan Kosovës, miratimi i saj ishte pika kryesore e mbledhjes, ndërsa detajet mbeten konfidenciale për shkak të ndjeshmërisë së informacioneve.
Drafti i nismës së re ligjore, i hartuar nga ekspertët, mbështetet në tekstin që Kuvendi miratoi në dy lexime në tetor dhe që më pas presidentja e ktheu për rishqyrtim. Procedimi përmes një nisme të re ishte pjesë e dakordimit ndërmjet PDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje. Nisma pritet të procedohet brenda pak ditësh në Kuvend. Para dorëzimit të saj, pritet të mbahet një takim me partnerët ndërkombëtarë për të diskutuar përmbajtjen e draftit.


