Mickoski udhëton drejt Brukselit! “Refuzojmë të diskutojmë për çështjet dypalëshe si pengesë për anëtarësimin tonë në BE”

Qytetarët e Ballkanit Perëndimor prej kohësh meritojnë të ulen në të njëjtën tryezë me qytetarët e Bashkimit Evropian dhe pres që kjo të ndodhë shumë shpejt. Kjo është përgjigjja e kryeministrit Hristijan Mickoski në pyetjen se çfarë pret nga takimi i ri në Bruksel me liderët e institucioneve evropiane.

“Pres që të konfirmohet ajo që është thënë deri më tani, se Ballkani Perëndimor është pjesë e Evropës dhe se procesi i integrimit të Ballkanit Perëndimor në kuadër të Evropës shumë shpejt do të bëhet realitet dhe fakt, në mënyrë që qytetarët e Ballkanit Perëndimor, të cilët prej kohësh meritojnë të jenë në tryezë, vërtet të jenë në tryezë”, tha Hristijan Mickoski.

Edhe pse në raportin e fundit të Komisionit Evropian është evidentuar përparim në fusha të caktuara, ndryshimet kushtetuese mbeten kushti kryesor për anëtarësim të plotë në BE. Por Mickoski thotë se si qeveri refuzojnë të diskutojnë për çështjet bilaterale si pengesë për anëtarësimin e plotë në Union.

“Ne jemi të fokusuar në atë që nënkupton përparimin përmes realizimit të reformave, ndërsa çështjet bilaterale, për fat të keq, janë një realitet që e solli qeveria e mëparshme, por ne refuzojmë të diskutojmë për çështjet bilaterale si pengesë në rrugën tonë drejt anëtarësimit të plotë në BE. Ne jemi të gatshëm që së bashku me BE-në, së bashku me ata që kanë marrëdhënie dypalëshe të pazgjidhura me ne, nëse është e nevojshme, në kuadër të këtij procesi, të ulemi kudo, kurdo dhe për çfarëdo teme”, deklaroi Mickoski.

Pikërisht një kontest i tillë dyaplësh, i cili përfundoi me ndryshimin e emrit të shtetit, solli anëtarësimin në NATO. Opozita akuzon se Mickoski, para se të vinte në pushtet, e kishte kritikuar Marrëveshjen e Prespës, ndërsa tani, përmes deklaratave të tij, ka konfirmuar se gjuha dhe identiteti janë të sigurta me këtë marrëveshje. Për këtë arsye, kërkojnë që ai t’u kërkojë publikisht falje qytetarëve.

“Dhe ja ku është tani Mickoski, i cili në fillim, jashtë Maqedonisë, deklaroi se Marrëveshja e Prespës është kryevepër e diplomacisë, ja ku është ditëve të fundit me një pranim të madh për atë që ai në të vërtetë e di në vete, çfarë përmban Marrëveshja e Prespës. Citoj: Marrëveshja e Prespës konfirmon se identiteti maqedonas është ruajtur dhe se gjuha maqedonase është konfirmuar në Kombet e Bashkuara. Pra, gjithçka që thoshte LSDM-ja, ai tani vetë e konfirmoi”, tha Andrej Zhernovski.

Zhernovski kërkoi nga kryeministri Mickoski që të njëjtën gjë ta thotë tani edhe në gjuhën maqedonase, publikisht para qytetarëve, por edhe të kërkojë falje, pasi, siç thotë ai, për vite me radhë i ka frikësuar qytetarët se do të mbeten pa identitet dhe pa gjuhë.