Japonia dhe GJNP-ja bien dakord të vazhdojnë dialogun për sundimin e ligjit

Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) dhe Japonia ranë dakord sot të vazhdojnë komunikimin me qëllim “ruajtjen dhe forcimin e sundimit të ligjit” në bashkësinë ndërkombëtare, transmeton Anadolu.

Deklaratat u bënë gjatë një takimi në Tokio mes ministrit të Jashtëm japonez, Toshimitsu Motegi dhe presidentes së GJNP-së, Tomoko Akane.

Motegi tha se Japonia kishte vendosur ta paguante brenda këtij viti kontributin e plotë të përcaktuar për GJNP-në për vitin 2027, duke theksuar se Tokioja i ka kushtuar vazhdimisht rëndësi të madhe sundimit të ligjit, sipas një deklarate të Ministrisë së Jashtme.

Ai tha se Japonia do të vazhdojë të mbështesë fuqishëm GJNP-në dhe Akanen, në mënyrë që gjykata të mund të përmbushë rolin dhe funksionet e saj “ashtu siç ishte parashikuar fillimisht”. Akane u takua gjithashtu të martën me kryeministren japoneze, Sanae Takaichi.

Administrata e Trumpit vendosi sanksione ndaj vetë GJNP-së më 9 tetor, pas sanksioneve të mëparshme kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve të saj, përfshirë edhe Akanen.

Akane, 70 vjeçe, vjen nga prefektura Aichi e Japonisë. Ajo u bë gjyqtare e GJNP-së më 11 mars 2018, për një mandat nëntëvjeçar, ndërsa në mars të vitit 2024 u zgjodh presidente e gjykatës. Washingtoni ka kundërshtuar hetimet e GJNP-së që përfshijnë personelin amerikan.

Presioni i SHBA-së ndaj GJNP-së vjen në një kohë kur gjykata ka lëshuar urdhërarreste ndaj kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes Yoav Gallant, nën dyshimet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Gjykata me seli në Hagë heton dhe ndjek penalisht rastet e gjenocidit, krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit dhe krimit të agresionit, kur autoritetet kombëtare nuk kanë vullnetin ose aftësinë për të zhvilluar realisht procedurat përkatëse.

SHBA-ja nuk është anëtare e GJNP-së. Japonia, një nga kontribueset kryesore financiare të gjykatës ka vazhduar ta mbështesë institucionin, pavarësisht aleancës së ngushtë të sigurisë me Uashingtonin.