Presidenti Erdogan: Procesi “Turqia pa terror” paraqet një mundësi historike

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan tha se procesi “Turqia pa terror” paraqet mundësi historike për zgjidhjen përfundimtare të problemit 40-vjeçar të vendit, raporton Anadolu.

“Para Turqisë është hapur një dritare historike mundësie për ta zgjidhur përfundimisht problemin e saj 40-vjeçar”, tha Erdogan gjatë një aktiviteti në kryeqytetin Ankara.

I nisur në fund të vitit 2024, projekti “Turqia pa terror” synon t’i japë fund konfliktit të armatosur katërdekadësh të PKK-së kundër Turqisë, përmes shpërbërjes dhe çarmatimit të organizatës terroriste. PKK-ja më parë kishte njoftuar vendimin e saj për të dorëzuar armët dhe për t’u larguar nga strehimoret e saj në veri të Irakut.

Erdogan tha se institucionet e sigurisë dhe inteligjencës po i kryenin detyrat e tyre me përkushtim dhe se procesi po zhvillohej në përputhje me ligjin. “Ne nuk duam të lëmë as hapësirën më të vogël për shfrytëzim apo provokim”, shtoi ai.

Ai tha se qeveria po e ndiqte procesin me kujdesin e një nëne që kujdeset për fëmijën e saj, duke theksuar se synimi ishte forcimi i paqes, sigurisë dhe zhvillimit.

Erdogan tha se dëshironte t’u jepte fund vuajtjeve të shkaktuara nga terrorizmi, veçanërisht mes familjeve që kanë humbur të dashurit e tyre. “Ne duam që nënat, baballarët dhe fëmijët të mos derdhin më lot. Nuk duam që të rinjtë, plot shpresa dhe në lulëzimin e jetës së tyre, të këputen si filiza para se të kenë mundësinë të rriten”, tha ai.

Ai tha se Turqia synonte të ndërtonte një të ardhme pa terror dhe pa pasojat e tij më të gjera. “Ne duam ta kurorëzojmë fillimisht ‘Shekullin e Turqisë’ me një Turqi pa terror dhe më pas me një rajon pa terror”, tha Erdogan.

Presidenti turk paralajmëroi kundër lejimit të mosmarrëveshjeve të brendshme politike që të minojnë këtë nismë. “Askush nuk ka të drejtë t’i kthejë luftërat e brendshme për pushtet brenda partive në barrë për këtë proces, ta zhvendosë peshën e tyre mbi të apo t’i vendosë ato mbi objektivat e tij”, tha ai.

Erdogan shtoi se Aleanca Popullore në pushtet nuk do të lejonte që ky proces të shpërdorohej apo të sakrifikohej për interesa personale.

 

– Hetime për rrëzimet e helikopterëve ushtarakë

Ndërkaq, Erdogan tha se janë nisur hetime për rrëzimet e helikopterëve ushtarakë në Malatya dhe Eskisehir, të cilat ndodhën vetëm 12 ditë larg njëri-tjetrit. “Janë nisur hetimet për këto dy aksidente tragjike, të cilat ndodhën vetëm 12 ditë larg njëri-tjetrit. Inspektimet dhe hetimet do të kryhen në mënyrë që të mos mbetet asnjë dyshim, sado i vogël”, tha ai.

Deklaratat e tij vijnë pas dy rrëzimeve të helikopterëve ushtarakë, ku humbën jetën nëntë pjesëtarë të personelit në Turqi brenda 12 ditësh. Pesë pjesëtarë të Forcave Ajrore humbën jetën kur një helikopter AS-532 u rrëzua gjatë një fluturimi stërvitor, pasi ishte ngritur nga Eskisehir të martën.

Më herët, katër pjesëtarë të personelit ushtarak humbën jetën kur një helikopter S-70 u rrëzua në provincën lindore të Malatyas.