Zëvendësministri i Arsimit, Driton Sulejmani, ka reaguar ndaj akuzave të BDI-së për diskriminim të nxënësve shqiptarë në ndarjen e bursave. Përmes një sqarimi publik, ai ka prezantuar të dhënat sipas gjashtë kategorive të bursave, duke bërë të ditur se nga 239 aplikime të nxënësve shqiptarë, 90 kanë përfituar bursë.
Sulejmani ka shpjeguar edhe arsyet e refuzimit të aplikimeve të tjera, ndërsa ka bërë të ditur se rezultatet për dy kategori të tjera të bursave pritet të publikohen në ditët në vijim.
“SQARIM PËR OPINIONIN PUBLIK LIDHUR ME NDARJEN E BURSAVE PËR NXËNËSIT (kësaj radhe me shifra)
Lidhur me akuzat e ngritura nga BDI për diskriminim të nxënësve shqiptarë në procesin e ndarjes së bursave, konsiderojmë të nevojshme që opinioni publik të informohet me të dhëna konkrete dhe të plota, duke përfshirë numrin e aplikimeve, kriteret e përzgjedhjes dhe arsyet e refuzimit të aplikantëve.
Sipas të dhënave për gjashtë kategoritë e bursave, nga gjithsej 1.849 aplikime të pranuara, 239 janë nga nxënës shqiptarë, prej të cilëve 90 kanë përfituar bursë.
Pasqyra sipas kategorive është si vijon:
Bursa për sportistë: Nga 29 nxënës shqiptarë që kanë aplikuar, 10 kanë përfituar bursë. Nga aplikantët e tjerë, 18 nuk kanë plotësuar kushtet, ndërsa një nuk është renditur në listën e përfituesve.
Bursa për fëmijë pa prindër: Nga 13 aplikantë shqiptarë, katër kanë përfituar bursë, ndërsa nëntë nuk kanë plotësuar kriterin e kësaj kategorie, pasi ishin fëmijë pa njërin prind.
Bursa për artistë të talentuar: Nga tetë aplikantë shqiptarë, dy kanë përfituar bursë, ndërsa gjashtë nuk kanë pasur dëshmitë për çmimet e kërkuara.
Bursa për nxënës të talentuar: Nga 74 aplikantë shqiptarë, shtatë kanë përfituar bursë, ndërsa 67 nuk kanë pasur diplomat e kërkuara.
Bursa për nxënës të arsimit profesional:Nga 79 aplikantë shqiptarë, 41 kanë përfituar bursë. Dymbëdhjetë aplikime janë refuzuar për shkak të dokumentacionit jo të plotë, ndërsa 26 aplikantë nuk janë renditur në listën e përfituesve për shkak të suksesit.
Bursa për nxënës të arsimit profesional trevjeçar: Nga 36 aplikantë shqiptarë, 26 kanë përfituar bursë, që përbën mbi 72% të aplikantëve shqiptarë në këtë kategori. Dhjetë aplikantët e tjerë nuk kanë qenë pjesë e arsimit trevjeçar ose nuk kanë pasur dokumentacion të plotë.
Këto të dhëna tregojnë se vlerësimi i procesit të ndarjes së bursave nuk mund të bëhet duke marrë parasysh vetëm numrin përfundimtar të përfituesve, pa analizuar numrin e aplikantëve, plotësimin e kritereve dhe arsyet konkrete të refuzimit.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës mbetet e përkushtuar ndaj transparencës, trajtimit të barabartë dhe krijimit të mundësive për të gjithë nxënësit, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike.
Çdo rast konkret në të cilin pretendohet se një nxënës ka plotësuar kriteret, por është refuzuar padrejtësisht, meriton të shqyrtohet me përgjegjësi të plotë.
Arsimi dhe mirëqenia e nxënësve duhet të jenë përgjegjësi e përbashkët dhe jo objekt i përplasjeve politike. Debati publik duhet të mbështetet në fakte, transparencë dhe përgjegjësi institucionale.
Ditëve të ardhshme pritet të shpallen edhe rezultatet për dy kategori të bursave edhe atë bursa për kategori sociale 900 dhe bursa për nxënës të regjistruar në paralelet duale 1570.
Më poshtë i keni edhe kriteret për bursat e kategorive për të cilat kemi shpallur rezultatet:
Kriteret e përgjithshme:
Kandidatët të jenë nxënës të rregullt të shkollave të mesme.
Të mos kenë përsëritur vit shkollor gjatë arsimimit.
Të mos jenë përfitues të bursave nga institucione apo kompani të tjera.
Të jenë shtetas të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Të dorëzojnë dokumentacionin e plotë në mënyrë elektronike.
Kriteret e veçanta sipas kategorive
1. Bursa për sportistë të talentuar – 150 bursa
Sukses mesatar së paku shumë i mirë.
Vend i parë, i dytë ose i tretë në gara shtetërore apo ndërkombëtare gjatë vitit paraprak shkollor.
Diploma, çmime ose vërtetime nga gara të organizuara nga federata sportive të njohura zyrtarisht.
Nuk pranohen çmimet nga gara shtetërore të organizuara vetëm nga klube apo shoqata sportive.
Renditja bëhet në bazë të suksesit shkollor dhe rezultateve sportive.
2. Bursa për fëmijë pa prindër – 50 bursa
Sukses shkollor së paku i mirë.
Vërtetim nga Qendra për Punë Sociale, institucioni ku është strehuar fëmija ose dokumentacion tjetër që dëshmon statusin e fëmijës pa prindër.
Në rast të pikëve të barabarta, përparësi kanë nxënësit e viteve më të larta.
3. Bursa për nxënës të talentuar në fushën e artit – 50 bursa
Sukses i vazhdueshëm i shkëlqyeshëm.
Vend i parë, i dytë ose i tretë në gara shtetërore apo ndërkombëtare në fushën e artit gjatë vitit paraprak shkollor.
Dëshmi për çmimet individuale ose grupore të fituara.
Renditja bëhet në bazë të pikëve të fituara nga çmimet dhe diplomat.
4. Bursa për nxënës të talentuar – 150 bursa
Sukses i vazhdueshëm i shkëlqyeshëm.
Vend i parë, i dytë ose i tretë në gara shtetërore apo ndërkombëtare gjatë vitit paraprak shkollor.
Diploma për rezultate individuale ose grupore në lëndët apo fushat që nxënësi i ka ndjekur sipas programit mësimor.
Vetëm suksesi i shkëlqyeshëm shkollor nuk është i mjaftueshëm për të përfituar këtë bursë.
5. Bursa për nxënës të drejtimeve të caktuara profesionale – 300 bursa
Sukses i vazhdueshëm së paku shumë i mirë.
Vërtetim nga shkolla për drejtimin profesional.
Renditje sipas suksesit shkollor, me maksimum 100 pikë.
Bursat ndahen sipas këtyre drejtimeve:
Hoteleri dhe turizëm – 60 bursa
Pylltari dhe përpunim i drurit – 30 bursa
Ndërtimtari dhe gjeodezi – 100 bursa
Bujqësi, peshkatari dhe veterinari – 50 bursa
Makineri – 30 bursa
Tekstil, lëkurë dhe produkte të ngjashme – 30 bursa
Gjithsej: 300 bursa.
Në drejtimet ku aplikantet femra përbëjnë më pak se 40% të aplikantëve, kandidateve femra që plotësojnë kushtet u jepet një pikë shtesë.
6. Bursa për nxënës të arsimit profesional trevjeçar – 150 bursa
Sukses i vazhdueshëm me mesatare së paku 3,00.
Të ndjekin programe të arsimit profesional me kohëzgjatje trevjeçare.
Vërtetim nga shkolla për kohëzgjatjen e programit.
Renditje sipas suksesit shkollor, me maksimum 100 pikë.
Në rast të pikëve të barabarta, përparësi kanë nxënësit e viteve më të larta.
Pikë shtesë për kandidatet femra që plotësojnë kushtet, nëse përfaqësimi i tyre ndërmjet aplikantëve është nën 40%.”
ka shkruar zëvendësministri i Arsimit, Driton Sulejmani.



