Qeveria spanjolle ka miratuar dy ndryshime në legjislacionin e punës, me të cilat zgjerohen të drejtat e punonjësve. Pushimi i paguar për lindjen e fëmijës rritet në gjithsej 20 javë për secilin prind, ndërsa pushimi në rast të vdekjes së një anëtari të familjes së ngushtë zgjatet në 10 ditë pune, raportojnë mediat spanjolle.
Secili prind do të ketë 20 javë pushim. Prej tyre, 18 javë mund të shfrytëzohen gjatë vitit të parë të jetës së fëmijës, ndërsa gjashtë javë janë të detyrueshme dhe duhet të merren pa ndërprerje menjëherë pas lindjes.
Për familjet me një prind, pushimi rritet nga 32 në 34 javë.
Dekreti mundëson edhe përshtatjen ose shkurtimin e orarit të punës për personat që kujdesen për familjarë që marrin trajtim paliativ. Gjithashtu, parashihet një ditë pushim i paguar për shoqërimin e një personi që i nënshtrohet procesit të vdekjes së asistuar.
Paketa e masave përfshin edhe vazhdimin e subvencioneve për transportin publik dhe taksës për bankat deri në fund të vitit 2027, si dhe lehtësime tatimore për të vetëpunësuarit dhe masa mbrojtëse për konsumatorët gjatë marrjes së kredive.


