Izet Mexhiti: 20 vjet histori, arsim dhe krenari – shkolla “Kongresi i Manastirit” shënon dy dekada nga themelimi

Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka uruar 20-vjetorin e shkollës fillore “Kongresi i Manastirit” në Shkup, duke rikujtuar kontributin e tij në nisjen e projektit të ndërtimit të kësaj shkolle në vitin 2006, gjatë kohës kur drejtonte Komunën e Çairit, shkruan Top24

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Mexhiti ka theksuar se krijimi i shkollës ishte pjesë e një vizioni më të gjerë për zhvillimin e Çairit, duke u ofruar nxënësve shqiptarë kushte më të mira për arsimim, por njëkohësisht duke ruajtur dhe afirmuar identitetin dhe trashëgiminë kombëtare.

Ai ka kujtuar se viti 2006 shënoi edhe vendosjen e shtatores së Skënderbeut në Shkup, ndërsa në vitet pasuese u ndërmorën iniciativa për emërtimin e shkollave dhe rrugëve me emra të personaliteteve historike shqiptare.

Sipas Mexhitit, shkolla “Kongresi i Manastirit” nuk përfaqëson vetëm një institucion arsimor, por edhe një simbol të kujtesës dhe identitetit kombëtar, duke përcjellë te gjeneratat e reja rëndësinë e dijes dhe të historisë shqiptare.

“ Ajo që nisëm si projekt, sot është një institucion me identitet, me histori dhe me mijëra nxënës që kanë kaluar nëpër bankat e tij”, ka shkruar Mexhiti, duke shprehur kënaqësinë dhe krenarinë që ishte pjesë e nisjes së këtij projekti para dy dekadash.

Në fund, ai ka uruar shkollën për 20-vjetorin, duke shprehur dëshirën që historia e saj të vazhdojë me suksese të reja dhe gjenerata të shumta nxënësish.