Hakeroi GTA 6 nga dhoma e hotelit, 21-vjeçari shqiptar dënohet me 7 vite burg, por lihet i lirë

Një person që kishte hakeruar kompaninë krijuese të Grand Theft Auto dhe kishte publikuar pamje nga loja, pasi kishte vjedhur 90 video të procesit të lojës nga pjesa e gjashtë e saj, është dënuar.

Arion Kurtaj, 21 vjeç, kishte pranuar më parë se qëndronte pas një sërë sulmesh kibernetike të bujshme ndaj kompanive të mëdha, përfshirë krijuesen e GTA-së, Rockstar Games, BT/EE, Revolut dhe Uber.

Sulmet kibernetike ndodhën midis gushtit 2021 dhe shtatorit 2022, kur ai ishte ende adoleshent.

Kurtaj, i cili ishte pjesë e grupit të krimit kibernetik Lapsus$, u dënua të hënën me shtatë vjet burg nga Gjykata e Kurorës në Woolwich.

Megjithatë, ai u la i lirë, pasi kishte kaluar tashmë një periudhë në paraburgim.

Gjatë shpalljes së dënimit, gjyqtari Turner i tha: “Ti je padyshim një i ri shumë i talentuar.

Mos i shpërdoro këto talente duke kaluar pjesën tjetër të jetës duke hyrë e dalë nga burgu.”

Në dhjetor 2023, një gjyqtar urdhëroi që Kurtaj, i cili është autik, të mbahej për një kohë të pacaktuar në spital, në bazë të Ligjit për Shëndetin Mendor, pasi psikiatrit kishin vlerësuar se ai nuk ishte në gjendje të deklaronte nëse ishte fajtor apo i pafajshëm ose të përballej me gjyqin. Por në vitin 2025, një vlerësim tjetër konstatoi se ai ishte i aftë të deklaronte qëndrimin e tij ndaj akuzave.

“Arratisje e pastër nga realiteti”: Si një lojë kompjuterike britanike u bë më e madhe se Hollivudi

Kurtaj hakeroi ofruesin e internetit me brez të gjerë BT dhe operatorin celular EE midis gushtit dhe nëntorit 2021.

Sipas raportimeve, kjo solli një rritje të ndjeshme të ndërrimeve të paautorizuara të kartave SIM, duke u mundësuar kriminelëve të merrnin kontrollin e telefonatave dhe mesazheve të viktimave, si dhe të siguronin qasje në llogaritë e tyre bankare ose në rrjetet sociale.

Ndaj tij u ngritën akuza dhe, për mbrojtjen e tij, ai u zhvendos në një hotel, ku kreu sulme të tjera kibernetike duke përdorur një telefon celular, lidhjen Wi-Fi të televizorit të hotelit dhe një pajisje Fire Stick.

I pandehuri depërtoi në sistemet e kompanisë së teknologjisë financiare Revolut, duke komprometuar informacionet e mijëra klientëve.

Në një sulm të veçantë ndaj Uber, ai nxori të dhëna të ndjeshme, fshiu të dhëna dhe llogari nga sistemet e brendshme dhe u dërgoi punonjësve një imazh të pahijshëm. Sulmi shkaktoi kosto që tejkaluan 2,8 milionë dollarë (2,15 milionë paund).

Ai hakeroi gjithashtu Rockstar Games me qëllim shantazhimin e kompanisë, duke vjedhur kode dhe pamje nga loja Grand Theft Auto VI, e cila në atë kohë nuk ishte publikuar ende.

Kurtaj publikoi disa nga pamjet e vjedhura në forume në internet, nën pseudonimin TeaPotUberHacker, dhe kërcënoi se do të publikonte kodin burimor të lojës nëse Rockstar nuk e kontaktonte.

I pandehuri, i cili më parë banonte në Oxfordshire, u arrestua fillimisht dhe u la në paraburgim në shtator 2022.

Javën e kaluar, Kurtaj u deklarua fajtor për tri akuza për kryerjen e veprimeve të paautorizuara me qëllim pengimin e funksionimit të një kompjuteri, një akuzë për mashtrim, një akuzë për sigurimin e qasjes së paautorizuar në materiale kompjuterike me qëllim të caktuar dhe një akuzë për mbajtjen e një telefoni celular në burg.

Ai pranoi gjithashtu fajësinë për dy akuza për sulm ndaj një punonjësi të shërbimeve të emergjencës.

GTA VI u publikua në Britaninë e Madhe javën e kaluar, 13 vjet pas lojës së fundit të serisë jashtëzakonisht të njohur.

Loja regjistroi shitje rekord prej 3,8 miliardë dollarësh (2,92 miliardë paund) në mbarë botën gjatë ditës së parë, duke u bërë lançimi më i madh në historinë e industrisë së argëtimit./SkyNews