Mexhiti e Kasami në kaffe me Kurtin në Manastir për 22 nëntor!

Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 22 Nëntorit – Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe, bashkëkryetarët e VLEN-it, Izet Mexhiti dhe Bilall Kasami, kanë zhvilluar një takim me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në Manastir, shkruan Top24

Takimi është zhvilluar në një atmosferë miqësore, ku përveç bisedave të rastit, është diskutuar edhe për zhvillimet aktuale politike në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, përfaqësimin politik të shqiptarëve në vend, si dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit rajonal.

Mexhiti theksoi se takimet me kryeministrin Kurti janë gjithmonë mundësi për të diskutuar çështje me interes të përbashkët, duke vënë në pah rëndësinë e lidhjeve ndërmjet shqiptarëve në të dyja shtetet.

Ndërkaq, Bilall Kasami bëri të ditur se gjatë takimit e kanë njoftuar Kurtin për zhvillimet aktuale politike dhe çështjet që lidhen me përfaqësimin e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Vëmendje e veçantë, sipas Kasamit, i është kushtuar marrëdhënieve dypalëshe dhe projekteve infrastrukturore që synojnë të forcojnë lidhjet ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

Takimi në Manastir, në ditën që simbolizon bashkimin e shqiptarëve përmes gjuhës dhe alfabetit, vjen si një tjetër rast për të diskutuar bashkëpunimin dhe projektet e përbashkëta në interes të qytetarëve të të dy vendeve.