Shkruan Faton Aliu
Një alegori mbi shkëlqimin e akullt të sipërfaqes, naivitetin e pushtetit dhe kujtesën e pamëshirshme të fjalës së shkruar
« Sepse shkronjat kanë një veti që pushteti shpesh e harron: ato nuk harrojnë se kush i la në errësirë dhe kush tutje i përdor vetëm si dekor »
Në një mbretëri të largët, ku mjegulla e harresës mbështillte çdo fjalë të thënë e të pathënë, mbretëronte një figurë që populli, me një përzierje habie dhe ironie, e quante Frozen. Ajo vinte si një puhizë e akullnajave veriore: me sy të kaltër si kristalet e ngrira, me flokë të gjatë e të artë që valëviteshin nën dritën e reflektorëve, dhe me një ecje që ngjante më shumë me sfilatat e pasarelave sesa me hapat e rëndë të shtetndërtimit. Por, siç ndodh rëndom në përrallat e shkruara me bojë të hollë, shkëlqimi i jashtëm shërbente si një vello e dendur për të mbuluar boshllëkun e brendshëm — një kështjellë akulli, e ftohtë dhe e zbrazët në thelbin e saj.
Për më shumë se dy dekada, kjo estetikë e sipërfaqes dhe e vetëkënaqësisë kishte qenë busulla e një epoke të tërë udhëheqjeje. Në vend të themelimeve të forta, ishin ngritur dekoracione; në vend të mendimit të thellë, ishte kultivuar poza. Çdo vepër kishte mbetur në gjysmë të rrugës, si një fjali pa kallëzues, e braktisur nën magjinë e duartrokitjeve të rreme dhe të një mendjelehtësie që ngatëronte shkëlqimin me vlerën, e zhurmën me vizionin. Ishte një kohë kur forma kishte mposhtur përmbajtjen, ndërsa naiviteti politik vishej me petkun e madhështisë.
Në skajin tjetër të kësaj mbretërie ngrihej Pallati i Shkronjave — një ngrehinë e lashtë, dikur tempull i dijes, i fjalës së gdhendur dhe i kujtesës, por që me kalimin e stinëve ishte shndërruar në një hije të zbehtë të vetvetes. Muret e tij të errëta mbanin peshën e harresës; në çdo kënd, merimangat kishin thurur rrjetat e tyre të heshtjes, ndërsa pluhuri i lënies pas dore mbulonte çdo gjurmë të dikurshme. Për disatë, ky pallat ishte kthyer në një anatemë të heshtur të realitetit të sotëm — një monument i asaj që duhej të ishte, por që ishte lënë në mëshirën e kohës dhe të keqmenaxhimit të ndërsjellë.
Dhe ja, kur stinët ndërruan dhe froni kaloi në duar të tjera, Frozen-it iu kujtua ky pallat. Me të njëjtën lehtësi me të cilën dikur parakalonte mes fjalëve të bukura por të zbrazëta, ajo u nis drejt portave të tij të rënda, duke u kapur pas një litari trimërie të rrejshme, e bindur se hijeshia e saj do të mjaftonte për të shkundur pluhurin e dekadave.
Por brenda mureve të errëta, diçka kishte ndryshuar. Shkronjat e fshehura pas pluhurit dhe rrjetave të merimangave nuk ishin më të nemitura. Teksa shihnin hijen e saj të kaltër të afrohej me ton qortues e gjykues, ato tundnin kokën me një buzëqeshje të hidhur, sikur të luanin kukafshehtas me kujtesën e saj të shkurtër. Sepse shkronjat kanë një veti që pushteti shpesh e harron: ato nuk harrojnë se kush i la në errësirë dhe kush tutje i përdor vetëm si dekor.
Tashmë, në sallat e Pallatit të Shkronjave luhej një tjetër simfoni — një orkestër e re, me dirigjentë të rinj e nota të tjera, ku shfaqja kishte nisur pa të. Dhe në këtë skenë të ndriçuar nga ironia e fatit, qortimet e saj tingëllonin si jehona e vonuar e një kënge të kënduar jashtë kohe. Sepse në teatrin e madh të historisë dhe të politikës, nuk mjafton të kesh bukurinë e akullit për të shkrirë ngurtësinë e realitetit, e as zërin e lartë për të mbuluar boshtësinë e asaj që vjen pas !!!


