BDI: Nëntori na bashkon, festat kombëtare na mbajnë krenarë

Sonte, në Negotinë të Pollogut, në Komunën e Vrapçishtit, në një atmosferë festive shënuam festat e lavdishme të Nëntorit, 22 Nëntorin – Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe dhe 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit.

Manifestimi “Nëntori na bashkon”, i organizuar nga Forumi i Gruas dhe Sekretariati për Mundësi të Barabarta pranë Bashkimit Demokratik për Integrim, ishte një mbrëmje e bashkimit, krenarisë dhe respektit për historinë, gjuhën dhe identitetin tonë kombëtar.

22 Nëntori dhe 28 Nëntori janë dy data që mishërojnë përpjekjet, sakrificat dhe vizionin e brezave për gjuhën, arsimin, lirinë dhe shtetësinë shqiptare. Ato na kujtojnë se ruajtja e identitetit kombëtar është përgjegjësi që duhet ta përcjellim brez pas brezi.

Në këtë rrugëtim, gruaja shqiptare ka pasur dhe vazhdon të ketë rol të pazëvendësueshëm, si bartëse e vlerave familjare, kulturore dhe kombëtare, si dhe pjesëmarrëse aktive në jetën shoqërore dhe institucionale.

BDI shpreh mirënjohje për organizatoret dhe të gjitha pjesëmarrëset që kontribuuan në realizimin e këtij manifestimi.

Gëzuar 22 Nëntorin dhe 28 Nëntorin!

Gëzuar festat tona kombëtare!