Raffia Arshad refuzoi ta hiqte hixhabin gjatë një interviste pune dhe më vonë u bë gjyqtarja e parë britanike që mban hixhab.
Raffia Arshad hyri në histori si gjyqtarja e parë britanike që mban hixhab, duke u bërë një shembull frymëzues për gratë muslimane. Historia e saj është dëshmi se njeriu mund ta ndjekë ëndrrën dhe të arrijë sukses profesional pa hequr dorë nga besimi dhe identiteti i tij.
Kur Raffia aplikoi për një bursë studimi në Inns of Court School of Law, një anëtar i familjes së saj e këshilloi të mos e mbante hixhabin gjatë intervistës, nga frika se kjo mund t’i zvogëlonte gjasat për t’u përzgjedhur. Por ajo refuzoi ta hiqte atë. Besonte se nuk duhej ta fshihte besimin e saj vetëm për të fituar një mundësi apo për të ndërtuar një karrierë të suksesshme.
Ajo u paraqit në intervistë me hixhab dhe arriti ta fitonte bursën. Ky ishte një hap i rëndësishëm drejt realizimit të ëndrrës së saj për t’u bërë gjyqtare.
Pas përfundimit të studimeve juridike në Universitetin Oxford Brookes, Raffia filloi karrierën si avokate. Ajo punoi kryesisht në çështje familjare që përfshinin fëmijët, martesat e detyruara dhe probleme të tjera serioze. Gjithashtu, shkroi një libër mbi të drejtën familjare islame, me synimin që t’i ndihmonte njerëzit të kuptonin më mirë çështjet juridike që lidhen me familjet muslimane.
Megjithatë, rrugëtimi i saj nuk ishte gjithmonë i lehtë. Edhe pasi kishte fituar përvojë të konsiderueshme në fushën e drejtësisë, disa njerëz e ngatërronin me përkthyesen e gjykatës apo me ndonjë kliente, vetëm për shkak se mbante hixhab. Por ajo vazhdoi punën me përkushtim dhe nuk lejoi që paragjykimet ta ndalonin.
Falë punës, përvojës dhe profesionalizmit, Raffia Arshad arriti të bëhej gjyqtare. Më vonë, ajo u emërua gjyqtare e përhershme me orar të plotë në Gjykatën e Përbashkët të Derbit (Derby Combined Court).
Raffia shpreson që historia e saj të frymëzojë më shumë gra, veçanërisht gratë muslimane që mbajnë hixhab, për t’i ndjekur ëndrrat e tyre dhe për të zgjedhur karrierën në drejtësi dhe në fusha të tjera profesionale.
Historia e saj e përcjell këtl mesazh: Një grua nuk duhet të heqë dorë nga besimi dhe identiteti i saj për të arritur sukses. Ajo mund ta ruajë me dinjitet përkatësinë e saj fetare dhe njëkohësisht të arrijë pozitat më të larta në jetën profesionale.


