Gjykimi ndaj gjyqtarit Gjoko Ristov, mbrojtja pretendon se mund të ketë pasur kontaminim të gjurmëve

Kontaminim i mundshëm i gjurmëve të ADN-së gjatë bastisjes në Negotinë – ky është pretendimi i ekspertit të propozuar nga mbrojtja e gjyqtarit të Gjykatës së Apelit, Gjoko Ristov. Në seancën e sotme, Atanas Kozarev theksoi se gjatë sigurimit dhe paketimit të materialit provues nuk janë respektuar procedurat standarde, gjë që ka krijuar mundësinë e bartjes së materialit biologjik të personave të tjerë.

Mbrojtja konsideron se kjo vë në pikëpyetje besueshmërinë e provave. Prokurorja Iskra Haxhi Vasileva vlerësoi se mendimi i ekspertit, i paraqitur sot nga mbrojtja në procesin gjyqësor kundër gjyqtarit të Apelit, Gjoko Ristov, nuk përmban gjetje që në mënyrë thelbësore vënë në pikëpyetje ekspertizën e ADN-së dhe gjurmët me origjinë biologjike, të cilat, sipas Prokurorisë, lidhen me të akuzuarin. Seanca e ardhshme është caktuar për 9 dhjetor.