Mbi 40 piktorë nga të gjitha trevat shqiptare do të marrin pjesë në edicionin e nëntë të kolonisë artistike “Shkupi në telajo”, e cila do të mbahet nga 26 deri më 30 nëntor 2026 në Shkup.
Ngjarja artistike organizohet në atmosferën e festave të Nëntorit dhe synon promovimin e krijimtarisë artistike, forcimin e bashkëpunimit kulturor, si dhe prezantimin e vlerave historike dhe kulturore të kryeqytetit.
Gjatë pesë ditëve të kolonisë, artistët do të realizojnë vepra të frymëzuara nga arkitektura, trashëgimia kulturore dhe jeta urbane e Shkupit, me fokus të veçantë në Çarshinë e Vjetër të Shkupit. Krijimet e tyre do të prezantohen më pas në një ekspozitë të hapur për publikun, duke pasuruar programin kulturor të festave të Nëntorit dhe duke sjellë këndvështrime të ndryshme artistike mbi qytetin.
Kolonia artistike “Shkupi në telajo” organizohet nga Instituti për Libër dhe Promocion, me mbështetjen e Komunës së Çairit. Organizatorët theksojnë se aktiviteti tashmë është shndërruar në një traditë kulturore që synon të forcojë bashkëpunimin ndërmjet artistëve, të nxisë shkëmbimin e përvojave krijuese dhe të promovojë Shkupin si një nga qendrat e rëndësishme të veprimtarisë artistike dhe kulturore në rajon.
Ekspozita përmbyllëse e veprave pritet të jetë një nga aktivitetet më tërheqëse kulturore në kuadër të shënimit të festave të Nëntorit në Shkup.


