Një influencuere australiane ka ndërmarrë një udhëtim të pazakontë drejt Turqisë, duke transportuar 20 mijë dollarë para të gatshme të lidhura në trupin e saj. Arsyeja? Të shmangte tarifat shtesë të pagesave bankare për operacionet estetike që kishte planifikuar të kryente në Stamboll.
Courtney Babic, 37 vjeçe, nga Newcastle i Australisë, ka ndarë me mijëra ndjekësit e saj në Instagram përgatitjet dhe udhëtimin drejt Turqisë, ku ka vendosur t’i nënshtrohet një sërë ndërhyrjesh kirurgjikale për të ndryshuar pamjen e saj.
Në një video të publikuar më 16 nëntor, influencerja, e cila numëron rreth 36 mijë ndjekës, tregoi se më në fund kishte ardhur dita e shumëpritur për të udhëtuar drejt Stambollit.
Ajo kishte planifikuar tri procedura estetike: lifting të fytyrës, lifting të qafës dhe lifting të buzëve.
Megjithatë, përpara se të nisej, 37-vjeçarja pranoi se ishte e emocionuar dhe e frikësuar nga ndërhyrjet që e prisnin.
Nëna e katër fëmijëve la në Australi bashkëshortin dhe fëmijët, duke treguar se ndarja prej tyre kishte qenë shumë më e vështirë nga sa e kishte imagjinuar.
Por ajo që tërhoqi më shumë vëmendjen nuk ishte distanca e udhëtimit apo ndërhyrjet estetike, por mënyra se si kishte vendosur të transportonte paratë për operacionet.
Babic tregoi se kishte lidhur në trup 20 mijë dollarë para të gatshme, për t’i marrë me vete gjatë fluturimit.
Sipas saj, kjo ishte mënyra më ekonomike për të paguar kirurgun plastik në Turqi.
“Më është dashur të udhëtoj me 20 mijë dollarë të lidhur në trup”, tregoi ajo në video.
Influencerja pretendoi se kirurgët plastikë në Turqi shpesh kërkojnë një tarifë shtesë prej 10 për qind nëse pagesa kryhet përmes kartës bankare ose transfertës.
“Është shumë normale në Turqi që kirurgët plastikë të kërkojnë 10 për qind shtesë nëse paguan me kartë ose transfertë bankare”, shpjegoi ajo.
Sipas Babic, bashkëshorti e kishte këshilluar të përdorte kartën bankare për arsye sigurie, por ajo kishte bërë një tjetër përllogaritje.
Duke zgjedhur pagesën me para në dorë, ajo pretendon se kurseu rreth 3 mijë dollarë, të cilat tani mund t’i përdorë për shpenzime të tjera gjatë qëndrimit në Turqi.
Udhëtimi ishte i gjatë dhe i lodhshëm. Babic fluturoi fillimisht për 14 orë e gjysmë drejt Dubait, ku bëri një ndalesë përpara se të vazhdonte rrugën drejt Stambollit.
Në total, ajo përshkoi më shumë se 15 mijë kilometra, ndërsa udhëtimi nga shtëpia e saj në Newcastle deri në hotelin në Turqi zgjati rreth 32 orë.
Për ta bërë udhëtimin më të rehatshëm, kishte paguar edhe për hapësirë shtesë për këmbët në avion, një shpenzim që, sipas saj, ia kishte vlejtur.
Pas mbërritjes në Stamboll, influencuesja u prit nga një automjet i organizuar nga kirurgu i saj, i cili e transportoi drejt hotelit ku do të qëndronte gjatë procedurave mjekësore.
Ajo e mbylli ditën e gjatë të udhëtimit duke publikuar pamje nga dhoma e hotelit, ku po pushonte dhe po konsumonte vaktin e fundit të ditës.


