Protestuesit u mblodhën të mërkurën në kryeqytetin suedez, Stokholm, për të përkujtuar fëmijët e vrarë palestinezë gjatë sulmeve izraelite në Rripin e Gazës.
Protestuesit u tubuan në sheshin “Sergels Torg”, duke mbajtur pankarta me mbishkrimet: “Ndaloni gjenocidin”, “Izraeli po kryen gjenocid”, “Izraeli e vrau këtë fëmijë” dhe “Izraeli ia mori këtë fëmijë familjes së tij”. Në shesh u vendosën këpucë fëmijësh të përlyera me gjak, lodra dhe kukulla të mbështjella me qefinë si simbol i fëmijëve të vrarë në Gaza.
Protestuesit shpalosën gjithashtu pankarta të gjata me emrat e fëmijëve të vrarë në sulmet izraelite dhe paraqitën mesazhe që tërhiqnin vëmendjen ndaj situatës në enklavën palestineze. Aktivistja suedeze, Rebecca Hybbinette tha për Anadolu se protestuesit mblidhen rregullisht në këtë shesh të shtunave për të protestuar kundër veprimeve të Izraelit në Gaza.
“Jemi këtu sot sepse jemi bashkuar për t’u kujtuar njerëzve fëmijët në Gaza dhe atë që po ndodh sërish atje në këto momente. Kjo vazhdon ende dhe duam t’ua rikujtojmë njerëzve këtë”, tha ajo.
“Ne protestojmë çdo të shtunë. Mblidhemi pikërisht këtu, në sheshin ‘Sergels Torg’, për të protestuar kundër gjenocidit”, shtoi ajo. Hybbinette shprehu shqetësimin për raportimet mbi rifillimin e dhunës në Gaza.
“Sot mësova se auto kolonat fashiste, auto kolonat sioniste, ishin nisur sërish drejt Gazës. Tashmë janë vrarë tre persona dhe kjo është e tmerrshme. Ajo që po ndodh është gjenocid”, u shpreh aktivistja suedeze.


