Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka minimizuar shqetësimet se një samit me presidentin amerikan, Donald Trump, presidentin rus, Vladimir Putin dhe presidentin kinez, Xi Jinping, në Kinë mund të krijojë një ndarje të re të sferave të ndikimit, të ngjashme me atë të Jaltës, transmeton Anadolu.
“Unë mendoj se është e rëndësishme që liderët të takohen, si në këtë rast, në takimin në Kinë. Mendoj se kjo është normale dhe për këtë arsye nuk jam aspak i shqetësuar”, u tha Rutte gazetarëve në Berlin, kur u pyet nëse ishte i shqetësuar për samitin.
Rutte i bëri këto komente gjatë përgjigjeve ndaj pyetjeve të gazetarëve në Berlin, përpara takimit të Koalicionit të të Gatshmëve për Ukrainën, të organizuar nga kancelari gjerman, Friedrich Merz.
I pyetur lidhur me cilësimin e Putinit si “mik” nga Trump gjatë takimit në Kinë, shefi i NATO-s theksoi se takimet mes liderëve të fuqive të mëdha janë normale.
“Është e rëndësishme që liderët të takohen, përfshirë edhe ata të fuqive bërthamore. Pra, është krejtësisht normale që këta njerëz të takohen, të zhvillojnë takime dhe të përpiqen të bien dakord për mënyrën më të mirë për të ecur përpara”, tha Rutte.
Ai shtoi se Trumpi “ka bërë vazhdimisht përpjekje titanike për të arritur paqen në Ukrainë dhe unë vetëm mund ta përgëzoj për këtë”.
Disa politikanë evropianë shprehën shqetësime para samitit në Kinë se ai mund të shndërrohej në një ‘Jaltë 2.0’, duke iu referuar Konferencës së Jaltës të vitit 1945, ku fuqitë e mëdha ndanë Evropën e pasluftës në sfera ndikimi.
Ata shprehën frikën se Trumpi mund t’i bëjë lëshime Rusisë lidhur me Ukrainën dhe se fuqitë e mëdha mund të vendosin një ndarje të re globale të zonave të ndikimit, pa praninë e Evropës në tryezën e negociatave.
Presidenti i Lituanisë, Gitanas Nauseda, u tha gazetarëve se nuk pret që samiti të përfundojë me një Jaltë të re.
“Mendoj se tema e diskutimeve nuk ishte ndarja apo sferat e ndikimit. Kishte tema të tjera diskutimi”, tha ai.
“Sigurisht, për mua është interesante të kuptoj se si dy vende, Kina dhe Rusia, do të jenë nismëtare të reformës së OKB-së, pasi ato vazhdimisht i kundërshtojnë reformat për shkak të së drejtës së vetos”, shtoi ai.
Nauseda përsëriti qëndrimin e Evropës se çdo diskutim për të ardhmen e Ukrainës duhet të përfshijë ukrainasit dhe evropianët.
“Parimi duhet të jetë i qartë, asnjë diskutim për të ardhmen e Ukrainës pa Ukrainën dhe asnjë diskutim për të ardhmen e Evropës pa Evropën”, theksoi ai.


