Reformat e Maqedonisë marrin njohje rajonale, Ministria e Administratës Publike shpërblehet nga OECD-SIGMA dhe ReSPA

Ministria e Administratës Publike ka marrë një mirënjohje të veçantë në kuadër të Çmimeve për Administratën Publike 2026 (Public Administration Awards 2026), të ndara në Beograd nga Shkolla Rajonale për Administratë Publike (ReSPA) dhe OECD-SIGMA informon Tetovasot.

Çmimi është dhënë për projektin “PAR Connect – Platformë Digjitale për Monitorimin e Reformës së Administratës Publike”, i cili është vlerësuar si një zgjidhje inovative për ndjekjen dhe koordinimin e reformave në administratën publike.

Sipas Ministrisë, kjo njohje përfaqëson një konfirmim rajonal të përpjekjeve reformuese dhe dëshmon se digjitalizimi, inovacioni institucional dhe qasja sistematike në menaxhimin e reformave po njihen si faktorë kyç për ndërtimin e një administrate moderne.

Platforma “PAR Connect” mundëson monitorimin e zbatimit të Strategjisë për Reformën e Administratës Publike, duke lidhur institucionet në një sistem të vetëm për ndjekjen e aktiviteteve reformuese dhe vlerësimin në kohë reale të realizimit të tyre.

Aktualisht, përmes këtij sistemi janë të përfshira rreth 40 institucione dhe afro 200 aktivitete reformuese, duke mundësuar koordinim më të mirë, raportim më efikas dhe transparencë më të madhe në procesin e reformave.

Ministria thekson se vlera e veçantë e platformës qëndron në faktin se procesin e reformave e bën më sistematik, më transparent dhe më të përgjegjshëm, duke ndihmuar institucionet të identifikojnë sfidat dhe të ndërmarrin masa në kohë.

Për më tepër, zgjidhja digjitale tashmë po gjen zbatim edhe në institucione të tjera. Ministria e Transformimit Digjital dhe Drejtoria e të Hyrave Publike, mbi bazën e memorandumeve të bashkëpunimit, kanë nisur përshtatjen e platformës për monitorimin e strategjive dhe planeve të tyre të veprimit.

Në edicionin e sivjetshëm të çmimeve morën pjesë mbi 100 aplikime nga institucione të Ballkanit Perëndimor dhe vendeve të Partneritetit Lindor. Projekti i Ministrisë së Administratës Publike u veçua në kategorinë e mirënjohjeve speciale për inovacionin, zbatueshmërinë institucionale dhe potencialin për përmirësimin e sektorit publik.

Nga Ministria vlerësojnë se ky çmim është një motiv shtesë për të vazhduar reformat me ritëm edhe më të shpejtë, duke u fokusuar në rezultate konkrete, përgjegjësi institucionale dhe ofrimin e shërbimeve publike më cilësore për qytetarët.