Borxhi prej 500 mijë eurosh lë fakultetet pa rrymë në Shkup – EVN jep ultimatum deri të premten!

Katër fakultete të Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, së bashku me Rektoratin, mbetën për disa orë pa energji elektrike për shkak të faturave të papaguara që arrijnë në rreth 500 mijë euro.

Pa rrymë mbetën Fakulteti i Makinerisë, ai i Elektroteknikës, Fakulteti i Shkencave Natyrore dhe Matematikës, si dhe Fakulteti i Bujqësisë.

Pas një marrëveshjeje, furnizimi me energji u rikthye, por EVN ka dhënë afat deri të premten, më 20 nëntor, për shlyerjen e borxhit. Në të kundërtën, fakultetet rrezikojnë të mbeten sërish pa rrymë.

Problemi është më i gjerë: edhe institucione të tjera publike përballen me detyrime të papaguara, ndërsa borxhi i përgjithshëm i institucioneve shtetërore dhe publike ndaj ESM-së tejkalon 24 milionë euro.