Zëvendëskryetari i Parë i Qeverisë dhe Ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, zhvilloi takim me Christoph Israng, Drejtor për Evropën në Ministrinë Federale të Punëve të Jashtme të Gjermanisë. Në fokus të bisedës ishin marrëdhëniet dypalëshe, procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe zbatimi i Agjendës së Reformave.
Ministri Sali vlerësoi Gjermaninë si partner strategjik dhe mbështetëse të vazhdueshme të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut. Ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit zhvillimor dhe të mbështetjes së GIZ-it për institucionet, përfshirë zbatimin e Agjendës së Reformave dhe shkëmbimin rajonal të përvojave.
Në takim u diskutua nevoja për një proces zgjerimi të drejtë, të parashikueshëm dhe të bazuar në merita. Ministri nënvizoi gatishmërinë për dialog konstruktiv mbi çështjet e hapura dhe rëndësinë e finalizimit të udhërrëfyesve për sundimin e ligjit dhe reformën e administratës publike.
Vëmendje e veçantë iu kushtua Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe përfitimeve të integrimit gradual. Ministri përmendi përfitimet e prekshme të pjesëmarrjes në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA), si dhe mundësitë që sjellin nismat për lidhshmërinë digjitale dhe uljen e kostove të roamingut.
Bashkëbiseduesit trajtuan edhe perspektivën e politikës së zgjerimit, përgatitjen e Bashkimit Evropian për anëtarë të rinj dhe rëndësinë e një kuadri financiar shumëvjeçar të parashikueshëm, që mbështet reformat, investimet dhe afrimin ekonomik.
Ministri Sali riafirmoi përkushtimin e Qeverisë për rezultate të matshme në reforma dhe për thellimin e partneritetit me Gjermaninë, me synimin që integrimi evropian të sjellë përfitime konkrete për qytetarët dhe bizneset.





