Xi e paralajmëron Trumpin: Çështja e Tajvanit mund të shkaktojë përplasje mes SHBA-së dhe Kinës

Presidenti kinez, Xi Jinping, i ka dërguar një paralajmërim të fortë homologut amerikan, Donald Trump, duke thënë se SHBA-ja dhe Kina mund të përballen me përplasje, madje edhe konflikt, nëse çështja e Tajvanit nuk trajtohet siç duhet.

Sipas televizionit amerikan CBS News, paralajmërimi është bërë gjatë takimit me dyer të mbyllura mes dy liderëve në Pekin, ku janë diskutuar edhe lufta në Iran, mosmarrëveshjet tregtare dhe raportet e Uashingtonit me Tajpein.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze, Mao Ning, bëri të ditur se Xi e ka cilësuar Tajvanin si çështjen më të rëndësishme në marrëdhëniet mes dy vendeve.

“Nëse kjo çështje trajtohet siç duhet, marrëdhëniet dypalëshe do të gëzojnë stabilitet të përgjithshëm. Në të kundërtën, të dy vendet do të përballen me përplasje, madje edhe konflikte, duke i vënë marrëdhëniet në rrezik serioz”, thuhet në deklaratën e saj.

Nga ana tjetër, Trump e kishte lavdëruar publikisht homologun kinez para takimit, duke e quajtur lider të madh dhe duke thënë se e konsideron mik.

“Është nder të jem miku juaj”, i tha Trump presidentit kinez.

Ndërkohë, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se politika e SHBA-së ndaj Tajvanit mbetet e pandryshuar dhe paralajmëroi se çdo përpjekje e Kinës për ta marrë ishullin me forcë do të ishte „një gabim i tmerrshëm”.

Pas takimit, Xi dhe Trump zhvilluan edhe aktivitete protokollare, ndërsa në fokus të bisedimeve ishte edhe kriza në Ngushticën e Hormuzit dhe lufta në Iran.

Shtëpia e Bardhë bëri të ditur se dy liderët diskutuan për forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe pajtuan se Ngushtica e Hormuzit duhet të mbetet e hapur për transportin detar. Nuk u dha një qëndrim i drejtpërdrejtë për paralajmërimin kinez lidhur me Tajvanin.