SHBA tërheq një tjetër aeroplanmbajtëse nga Lindja e Mesme, në rajon mbeten vetëm dy

Numri i aeroplanmbajtëseve amerikane që mbështesin operacionet ushtarake kundër Iranit ka zbritur sërish në dy, pas largimit të USS George Washington nga Lindja e Mesme, ku kishte qëndruar për rreth katër muaj.

Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësja e Flotës Amerikane të Paqësorit, kapitenlejtënantja Katie Koenig, e cila deklaroi se aeroplanmbajtësja USS George Washington, me bazë në Japoni, i është rikthyer tashmë kontrollit operacional të Flotës së Paqësorit dhe po zhvillon operacione rutinë në rajonin Azi-Paqësor.

Largimi i saj ndodhi në të njëjtën javë kur në Lindjen e Mesme mbërriti aeroplanmbajtësja USS Theodore Roosevelt. Kjo bëri që përkohësisht numri i aeroplanmbajtëseve amerikane në ujërat pranë Iranit të arrinte në tre, një përqendrim i pazakontë i fuqisë detare amerikane në rajon.

Aktualisht, në këtë zonë vijojnë të operojnë USS George H.W. Bush, e dislokuar që prej muajit prill, dhe USS Theodore Roosevelt. Ato mbështeten nga më shumë se një duzinë destrojerësh dhe kryqëzorësh, si dhe një anije luftarake për operacione bregdetare.

Prania detare amerikane shërben për të mbështetur bllokadën ndaj Iranit. Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara kanë kryer edhe sulme të kufizuara ndaj objektivave iraniane në Ngushticën e Hormuzit.

Kjo e fundit është një nga rrugët më të rëndësishme detare për transportin e naftës në botë. Sipas raportimit, përpara nisjes së luftës më 28 shkurt, përmes saj kalonte pothuajse një e treta e naftës në tregtinë globale. Ndërprerjet në qarkullimin detar kanë ndikuar në rritjen e çmimeve ndërkombëtare të energjisë.

Aeroplanmbajtësja USS George Washington mbërriti në Lindjen e Mesme në muajin gusht, pasi ishte tërhequr nga një mision patrullimi në Detin e Kinës Jugore.

Vendimi për zhvendosjen e saj u mor pak kohë pasi u publikuan informacione për probleme të shëndetit mendor të personelit dhe mungesa në furnizime në bordin e një tjetër aeroplanmbajtëseje amerikane, USS Abraham Lincoln, e cila kishte qëndruar për një periudhë të gjatë në Lindjen e Mesme.

Kjo e fundit kishte regjistruar një rekord të qëndrimit të pandërprerë në det, duke kaluar 240 ditë pa ndërprerje.