Deputetja e Bashkimit Demokratik për Integrim, Arbana Pasholli përmes një postimi në proflin e saj ka ndarë përgjigjen e zëvendëskryeministrit Bekim Sali rreth pikës kufitare me shqipërinë në Bllatë. Sipas Pashollit, në përgjigjen e zëvendëskryeministrit Bekim Sali konfirmohet se edhe përkundër ratifikimit të marrëveshjes mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë ku përfshihet edhe pika kufitare Bllatë priortitet sipas Sali mbetet pika kufitare në Qafë Thanë, shkruan Top24
Bllata vazhdon të anashkalohet!
Në përgjigjen zyrtare ndaj pyetjes sime parlamentare drejtuar zëvendëskryeministrit Bekim Sali, konfirmohet se, ndonëse marrëveshja e ratifikuar ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë përfshin edhe vendkalimin kufitar Bllatë, prioritet aktual mbetet Qafë Thana, ndërsa Bllata lihet për një fazë të mëvonshme, pa afat konkret realizimi.
Pavarësisht rritjes së konsiderueshme të qarkullimit ndërkufitar pas funksionalizimit të Rrugës së Arbërit dhe rëndësisë së këtij vendkalimi për zhvillimin ekonomik të Dibrës, Bllata vazhdon të mbetet jashtë prioriteteve të menjëhershme institucionale.
Edhe për problematikën e banorëve të Maqellarës dhe vendbanimeve përreth, përgjigjja kufizohet në paralajmërime për shqyrtim institucional dhe koordinim të mëtejshëm, pa ofruar zgjidhje konkrete.
Në përgjigjen e tij, zëvendëskryeministri merr përsipër koordinimin dhe ndjekjen personale të procesit, por pa përcaktuar afate për realizimin e angazhimeve.
Le t’i vlerësojnë vetë qytetarët “arritjet” e VLEN-it, përballë anashkalimit të Bllatës dhe shtyrjes së vazhdueshme të konkretizimit të marrëveshjes!



