Çdo i dhjeti fëmijë në Maqedoni është ekspozuar ndaj abuzimit seksual në internet

Çdo i dhjeti fëmijë në Maqedoni, i moshës 12 deri në 17 vjeç, që ka përdorur internetin, është ekspozuar ndaj shfrytëzimit dhe abuzimit seksual. Bëhet fjalë për rreth 12.000 fëmijë, shifër e konfirmuar edhe nga hulumtimi i fundit i UNICEF-it.

Shqetësues është edhe fakti se në 78 për qind të rasteve, abuzuesi është një person që fëmija e ka njohur më parë. Gati 88 për qind e fëmijëve kanë treguar për atë që u ka ndodhur, por më pak se 1 për qind e kanë raportuar rastin përmes mekanizmave zyrtarë.

Nevojitet krijimi i një linje kombëtare për raportimin e materialeve që përmbajnë abuzim seksual të fëmijëve në internet, një mekanizëm që vendi ynë ende nuk e ka. Ndërkohë, së fundmi është hapur një shërbim i ri për raportimin e rasteve në rrjetet sociale. Deri më tani janë pranuar 25 raportime.

Shëndeti mendor është një tjetër sfidë serioze me të cilën përballen fëmijët. Këtë e dëshmon edhe rritja e numrit të telefonatave në linjën falas SOS të organizatës “Megjashi”, me emrin “Alo Bushavko”.

Shfrytëzimi dhe abuzimi seksual i fëmijëve po bëhen gjithnjë e më të pranishëm edhe në hapësirën digjitale. Për përballimin e këtij fenomeni nevojitet një qasje shumësektoriale, në mënyrë që të ofrohet mbështetje dhe mbrojtje për kategorinë më të cenueshme të shoqërisë.