Qeveria mbetet e vendosur në qëndrimin për kufizimin e lojërave të fatit dhe tashmë ka ndërmarrë masa konkrete ligjore për të zvogëluar mundësitë e organizimit të tyre. Kështu deklaroi zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikollovski, duke iu përgjigjur pyetjes së deputetes së së Majtës, Jovana Mojsoska, lidhur me funksionimin e Lotarisë Shtetërore, shkruan Biznisvesti, përcjellë Top24
Pyetja e deputetes kishte të bënte me atë nëse Qeveria do të iniciojë shkarkimin e drejtorit të Lotarisë Shtetërore, Aleksandar Klimovski, si dhe nëse do të mbyllet platforma e lojërave të fatit online „Megawin“.
Sipas Nikollovskit, me ndryshimet në Ligjin për lojërat e fatit janë vendosur kufizime më të rrepta për reklamimin dhe lokacionet ku mund të organizohen lojërat e fatit, si dhe është paraparë rritje e konsiderueshme e detyrimeve financiare për organizatorët.
„Zbatimi faktik i ndryshimeve ligjore fillon më 1 janar. Nga kjo datë, i vetmi subjekt që do të mund të organizojë lojërat online të fatit do të jetë shteti, përmes Lotarisë Shtetërore. E njëjta do të vlejë edhe për terminalet e videolotarisë (VLT), ku shteti do të jetë organizatori i vetëm përmes një subjekti“, deklaroi Nikollovski.
Ai theksoi se pas formimit të Qeverisë aktuale janë revokuar licencat e tri kompanive që lidhen me organizimin e lojërave online të fatit, si dhe licenca e platformës „TwoWin“, e cila ishte pjesë e „Casino Austria“ dhe sistemit të terminaleve VLT.
Nikollovski bëri të ditur se për këtë çështje janë duke u zhvilluar edhe procedura gjyqësore.
„Është në zhvillim një procedurë aktive gjyqësore kundër Artan Grubit, Perparim Bajramit dhe të akuzuarve të tjerë. Pres që gjykata, përmes një procedure efikase, ta përfundojë këtë çështje dhe përgjegjësit të japin llogari për veprimet e tyre“, u shpreh ai.
Duke folur për funksionimin e sektorit të lojërave të fatit, Nikollovski theksoi se është e domosdoshme një kontroll i rreptë shtetëror, me qëllim parandalimin e organizimit të paligjshëm dhe përqendrimit të tregut në duart e një numri të kufizuar subjektesh.
Ai gjithashtu u bëri thirrje institucioneve kompetente, përfshirë Prokurorinë, Policinë Financiare dhe Inteligjencën Financiare, që të verifikojnë të gjitha pretendimet që dalin në opinion dhe që lidhen me funksionimin e këtij sektori.
Nga ana tjetër, deputetja Jovana Mojsoska akuzoi se Qeveria nuk e ka përmbushur premtimin për mbylljen e platformës „Megawin“. Ajo ngriti dyshime edhe për kontratat e lidhura me Lotarinë Shtetërore dhe kompaninë bullgare „MDD Soft“. shkruan Biznisvesti


