Përfituesit e ndihmës financiare për kujdesin ndaj personit tjetër në Maqedoninë e Veriut vazhdojnë të presin pagesën mujore të nëntorit, ndonëse muaji tashmë ka hyrë në gjysmën e dytë.
Vonesa ka shkaktuar shqetësim te qytetarët që përfitojnë nga kjo kategori e mbështetjes sociale, pasi për shumë prej tyre këto mjete janë të domosdoshme për sigurimin e nevojave bazë dhe përballimin e shpenzimeve të përditshme.
Ata theksojnë se vonesa e pagesave ua vështirëson edhe më shumë situatën, veçanërisht në këtë periudhë të vitit, kur shpenzimet për ngrohje, ushqim dhe barna janë të pashmangshme.
Ndihma për kujdesin ndaj personit tjetër është një mbështetje e rëndësishme për personat që, për shkak të gjendjes së tyre shëndetësore dhe nevojës për asistencë, varen nga kujdesi i vazhdueshëm i një personi tjetër.
Përfituesit kërkojnë nga institucionet përgjegjëse që të japin një sqarim lidhur me arsyet e vonesës dhe të ndërmarrin hapa për realizimin sa më të shpejtë të pagesave.
Deri më tani, nuk ka një njoftim zyrtar për datën se kur do të ekzekutohet pagesa e ndihmës financiare për këtë kategori qytetarësh.


