Zëvendësministri i mbrojtjes Admir Shabano sot ka zhvilluar një takim me dekanin e Akademisë Ushtarake “Mihailo Apostolski”, Kolonel Prof. Dr. Nenad Taneski, i shoqëruar nga asistenti i kësaj akademie, Rexhep Mustafovski, i cili së fundmi është nderuar me mirënjohje nga rektori i Universitetit “Goce Dellçev” në Shtip, në shenjë vlerësimi për arritjet e tij të larta shkencore, shkruan Top24
Gjatë takimit është diskutuar për hapat e ardhshëm që synojnë promovimin e mundësive që ofron Akademia Ushtarake, përmes organizimit të vizitave dhe takimeve informuese me nxënësit e shkollave të mesme nëpër komuna.
Fokus i veçantë i këtij angazhimi do të jetë informimi i të rinjve shqiptarë për mundësitë e studimit, kushtet e regjistrimit dhe perspektivën profesionale që ofron Akademia Ushtarake, me synim rritjen e interesimit dhe pjesëmarrjes së tyre në këtë institucion.
Një vëmendje e veçantë gjatë takimit iu kushtua edhe vlerësimit të arritjeve shkencore, si dhe krijimit të mundësive të reja për gjeneratat e reja.
Ky bashkëpunim synon të kontribuojë në ndërtimin e një Akademie Ushtarake më gjithëpërfshirëse, me përfaqësim më të drejtë dhe mundësi të barabarta për të gjithë të rinjtë, pavarësisht përkatësisë etnike.


