Kuvendi i Serbisë mban sot seancën konstituive, e cila nis në orën 10:00, ku pritet të verifikohen mandatet e deputetëve dhe më pas të zgjidhen kryetari dhe nënkryetari i Kuvendit, sekretari i përgjithshëm, si dhe anëtarët e komisioneve dhe delegacioneve parlamentare.
Studentët, të cilëve nuk iu lejua pjesëmarrja në seancë, kanë bërë thirrje për tubim në Parkun Pionirski, për të përcjellë hyrjen e deputetëve të rinj të Listës Studentore në Kuvend. Në shumë qytete të Serbisë janë organizuar gjithashtu tubime për ndjekjen e drejtpërdrejtë të seancës konstituive.
Seancën, deri në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, do ta drejtojë deputeti më i moshuar. Për këtë detyrë është paralajmëruar Stojan Radenoviq, nga lista “Serbia e Bashkuar”, e cila ka bërë të ditur se do ta propozojë atë edhe për kryetar të Kuvendit.
Kuvendi konsiderohet i konstituuar pasi të verifikohen mandatet e së paku dy të tretave të deputetëve, të cilët më pas duhet të japin betimin solemn.
Kandidatin për kryetar të Kuvendit mund ta propozojnë së paku 30 deputetë, ndërsa për zgjedhjen e tij nevojiten të paktën 126 vota, përkatësisht shumica e numrit të përgjithshëm të deputetëve.
Me konstituimin e Kuvendit nis edhe afati kushtetues prej 90 ditësh për formimin e Qeverisë së re të Serbisë.
Rezultatet zgjedhore: Lista Studentore me 140 mandate
Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 25 tetorit, lista “Studentët fitojnë – Lista Studentore” fitoi 140 mandate, ndërsa lista “Serbia e Bashkuar”, e mbledhur rreth Partisë Përparimtare Serbe (SNS), siguroi 103 mandate.
Aleanca e Hungarezëve të Vojvodinës dhe Koalicioni Shqiptar fituan nga dy mandate secila.
Ndërkaq, lista Popullore e Rasim Ljajiqit, Partia e Drejtësisë dhe Pajtimit dhe Partia për Veprim Demokratik e Sanxhakut fituan nga një mandat.
Këto rezultate përcaktojnë përbërjen e re parlamentare, ndërsa formimi i Qeverisë së re pritet të zhvillohet brenda afatit kushtetues prej 90 ditësh.


