Dronët godasin tre anije tregtare pranë Rumanisë! Bukureshti kërkon ndihmën e NATO-s

Tre anije tregtare janë goditur nga dronë në brigjet rumune të Detit të Zi, duke shkaktuar zjarre në bord dhe alarm në autoritetet e Bukureshtit. Kryeministri rumun Luca Niculescu i cilësoi sulmet të papranueshme dhe shkelje të së drejtës ndërkombëtare, ndërsa kërkoi forcimin e sigurisë në rajon në bashkëpunim me aleatët e NATO-s.

Sulmet ndodhën të shtunën në mbrëmje, pranë kanalit Sulina, një korridor i rëndësishëm detar që lidh lumin Danub me Detin e Zi dhe që përdoret edhe nga Ukraina për eksportin e mallrave.

Sipas ministrit rumun të Mbrojtjes, Stefan Radu Oprea, nga incidentet nuk pati persona të lënduar. Ekuipazhet e anijeve arritën të vinin nën kontroll dhe të shuanin zjarret që shpërthyen pas goditjeve.

Anijet e prekura janë tankeri kimik “Evia Petrol V”, me flamur grek, anija transportuese e mallrave “Marsol”, me flamur të Saint Kitts dhe Nevis, si dhe tankeri i produkteve të naftës “Ali Najafov”.

Kryeministri Luca Niculescu reagoi përmes një postimi në rrjetin social X, ku i cilësoi goditjet si shkelje të së drejtës ndërkombëtare.

“Ato pasqyrojnë përkeqësimin e situatës së sigurisë të shkaktuar nga lufta e vazhdueshme e Rusisë kundër Ukrainës”, shkroi ai, duke u zotuar se Rumania do të marrë masat e nevojshme së bashku me aleatët për të forcuar sigurinë në Detin e Zi.

Niculescu bëri të ditur gjithashtu se radarët e Ministrisë së Mbrojtjes kishin zbuluar objektiva ajrore në zonë. Në dy raste të ndryshme, Forcat Ajrore rumune dërguan avionë luftarakë për të hetuar situatën.

Incidentet vijnë një ditë pasi një tjetër anije mallrash, “Larissa 1”, me flamur të Palaut, u godit nga një dron. Sipas raportimeve të mediave ukrainase, anija po lundronte drejt Ukrainës.

Rumania kërkon mbështetjen e aleatëve për t’u mbrojtur nga dronët
Ministri i Mbrojtjes, Stefan Radu Oprea, pritet të takohet me homologët e tij në Bruksel javën e ardhshme, ku një nga çështjet kryesore të diskutimit do të jetë situata e sigurisë në Detin e Zi.

Ai kërkoi më shumë mbështetje nga aleatët, veçanërisht përmes patrullimeve ajrore dhe pajisjeve të specializuara për zbulimin dhe neutralizimin e dronëve.

“Ne kemi nevojë për solidaritetin e aleatëve tanë, të treguar përmes patrullave me avionë mbikëqyrës dhe përmes pajisjeve për luftën kundër dronëve”, deklaroi Oprea.

Ndërkohë, Rusia ka mohuar se ka shënjestruar me dronë vendet fqinje me Ukrainën. Sulmet e njëpasnjëshme ndaj anijeve tregtare kanë shtuar shqetësimet për sigurinë e lundrimit në Detin e Zi, veçanërisht në korridoret detare që përdoren për transportin e mallrave ukrainase.