Ismaili: Aparati shtetëror ka urrejtje patologjike ndaj të drejtave të shqiptarëve!

Miratimi i ligjeve nuk nënkupton domosdoshmërisht edhe zbatimin e tyre, veçanërisht kur bëhet fjalë për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Kështu ka vlerësuar profesori universitar Ymer Ismaili, i cili, gjatë paraqitjes në emisionin “Rishtazi” në KohaCast, ka drejtuar kritika të ashpra ndaj mënyrës së funksionimit të institucioneve shtetërore.

Sipas Ismailit, ekziston një strategji përmes së cilës, nga njëra anë miratohen ligje që duhet të garantojnë të drejta të caktuara, ndërsa nga ana tjetër krijohen pengesa administrative dhe institucionale për zbatimin e tyre. “Këta kanë strategji që do ta sjellim ligjin dhe ndërkohë do të gjejmë mekanizma për pengimin e zbatimit të këtij ligji”, deklaroi Ismaili.

Ai vlerësoi se një qasje e tillë është pasojë e mungesës së tolerancës dhe, sipas tij, e qëndrimeve diskriminuese ndaj të drejtave të shqiptarëve. Profesori kritikoi edhe funksionimin e aparatit shtetëror, duke pretenduar se ai shpesh vepron në funksion të interesave partiake dhe jo në shërbim të qytetarëve. Ismaili përdori akuza të forta edhe ndaj asaj që e cilësoi si pjesa etnikisht maqedonase e aparatit shtetëror, duke pretenduar se brenda saj ekziston një kundërshtim i thellë ndaj avancimit të të drejtave të shqiptarëve.

Duke iu referuar rolit të faktorit ndërkombëtar, ai theksoi se presioni i jashtëm, së bashku me kërkesat e faktorit shqiptar, në raste të caktuara i detyron institucionet të miratojnë ligje në përputhje me standardet evropiane. Megjithatë, sipas tij, problemet shfaqen më pas, në fazën e zbatimit. “Kur faktori ndërkombëtar dhe presioni i brendshëm shqiptar i detyrojnë që të sjellin ligje në përputhje me standardet evropiane, ata në prapaskenë krijojnë pengesa”, u shpreh Ismaili.

Në këtë kontekst, profesori universitar përmendi edhe kërkesat e studentëve shqiptarë lidhur me mundësinë e dhënies së provimeve në gjuhën shqipe, duke e paraqitur këtë çështje si shembull të dallimit ndërmjet të drejtave të garantuara dhe realizimit të tyre në praktikë. Sipas tij, institucionet përfshihen në një proces ku kërkesat fillimisht pranohen në nivel deklarativ, por më pas përballen me pengesa që e vështirësojnë zbatimin e tyre. “E pranojnë, s’e pranojnë, futen në një lojë jashtëzakonisht perfide, aq të pistë”, deklaroi Ismaili në emisionin “Rishtazi” në KohaCast.