Gjatë vizitës, delegacioni i ekspertëve austriakë vizitoi edhe disa lokalitete të Parkut Kombëtar dhe prezantoi analizat e tij për parkun. Ekspertët veçanërisht theksuan pasurinë natyrore të parkut dhe resurset e shumta që ai posedon.
Një delegacion i ekspertëve të pylltarisë nga Austria ka vizituar Parkun Kombëtar “Mavrovë”, ku, së bashku me udhëheqësinë e parkut dhe ekspertë nga vendi, kanë diskutuar për ndryshimet klimatike dhe aktivitetet që duhet të ndërmerren në këtë drejtim. Drejtoria e Parkut Kombëtar “Mavrovë” ka informuar se gjatë takimit është konfirmuar nevoja për organizimin e takimeve më të shpeshta ndërmjet ekspertëve ndërkombëtarë.
Drejtori i Parkut Kombëtar “Mavrovë”, Haris Ibraimi, ka bërë të ditur se bëhet fjalë për një takim institucional, në të cilin janë prezantuar përvojat e ekspertëve. “Vizita e ekspertëve nga Austria, të udhëhequr nga atasheu në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Mbrojtjes Ekologjike, Kristijan Bravenc, ka një domethënie shumë të madhe për Parkun Kombëtar ‘Mavrovë’. Biseduam për nevojën e shkëmbimit të përvojave, pasi ndryshimet klimatike kanë ndikime të mëdha në natyrë. Delegacioni austriak, nga fusha e shkencave pyjore dhe ndryshimeve klimatike, veçanërisht theksoi nevojën për zhvillimin e kapaciteteve për mbrojtjen e resurseve natyrore”, tha drejtori i Parkut Kombëtar “Mavrovë”, Haris Ibraimi.
Gjatë vizitës, delegacioni i ekspertëve austriakë vizitoi edhe disa lokalitete të Parkut Kombëtar dhe prezantoi analizat e tij për parkun. Ekspertët veçanërisht theksuan pasurinë natyrore të parkut dhe resurset e shumta që ai posedon. Profesori i Fakultetit të Pylltarisë në Shkup, Jane Acevski, sipas të njëjtit burim, gjatë prezantimit të analizave dhe ekspertizave të tij theksoi veçanërisht nevojën për një balancim të ekosistemit pyjor. Ai potencoi gjithashtu ndikimin e ndryshimeve klimatike në ekosistemin pyjor të Parkut Kombëtar, si dhe mundësitë për përballimin e këtyre ndryshimeve.
Mysafirët e Parkut vlerësuan se vizita e ekspertëve nga Austria paraqet një mirënjohje për pasuritë natyrore të Parkut Kombëtar “Mavrovë”, si dhe një mundësi për forcimin e pozicionit të tij në mesin e ekspertëve ndërkombëtarë. Mesazhi i takimit, i përcjellë nga ekspertët e Maqedonisë së Veriut dhe Austrisë, ishte se mbrojtja e natyrës nuk njeh kufij, por është detyrë dhe përgjegjësi, veçanërisht ndaj gjeneratave të reja.


