Presidenti rus, Vladimir Putin propozoi sot një armëpushim pesëditor për qytetin Kostjantinivka, në lindje të Ukrainës, ndërsa priti në Moskë të dërguarit amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner për bisedime mbi përfundimin e luftës.
Presidenti Putin deklaroi se ndërprerja e përkohshme e luftimeve do t’u mundësonte forcave ruse të çminonin zonën, në mënyrë që qindra civilë të mund të evakuoheshin në siguri përmes një operacioni të përbashkët humanitar me Ukrainën. Në nisje të takimit në Kremlin, ai tha se Kievi e konsideron Kostjantinivkën, pranë Kramatorskut në rajonin e Donetskut, nën kontrollin e Ukrainës.
Kreu i Kremlinit propozoi gjithashtu që gazetarë ndërkombëtarë, përfshirë përfaqësues të medieve amerikane, të merrnin pjesë në terren për të vëzhguar operacionin. Një procedurë e ngjashme ishte zhvilluar në fund të tetorit gjatë evakuimit nga qyteti Oleshky, në rajonin e Hersonit. Ai operacion u drejtua bashkërisht nga komisionerët për të drejtat e njeriut të Ukrainës dhe Rusisë, pas ndërmjetësimit të zonjës së parë amerikane Melania Trump. Pas përfundimit të tij, të dy komisionerët shprehën mundësinë e organizimit të operacioneve të tjera humanitare.
Megjithatë, për sa i përket një marrëveshjeje përfundimtare të paqes, Putin nuk dha shenja të një ndryshimi të qëndrimit rus. Ai këmbënguli se çdo zgjidhje duhet të pasqyrojë atë që Moska i konsideron kufijtë e saj shtetërorë. Rusia aneksoi në vitin 2022 rajonet ukrainase të Hersonit, Zaporizhias, Luhanskut dhe Donetskut, duke i shpallur ato pjesë të territorit rus, megjithëse nuk i kontrollon plotësisht. Këto aneksime nuk njihen ndërkombëtarisht.
Moska kërkon tërheqjen e trupave ukrainase nga rajoni i Donetskut si kusht për një armëpushim gjithëpërfshirës, ndërsa Ukraina i kundërshton kategorikisht lëshimet territoriale.
Të dërguarit amerikanë Witkoff, përfaqësues i posaçëm i presidentit Donald Trump, dhe Jared Kushner, dhëndri i tij, pritej t’i paraqisnin Putinit rezultatet e dy ditëve të negociatave trepalëshe mes Rusisë, Ukrainës dhe SHBA-së, të zhvilluara këtë javë në Abu Dhabi. Kjo ishte vizita e katërt e Witkoffit te presidenti rus gjatë këtij viti.
Gjatë bisedimeve në Abu Dabi, negociatorët rusë dhe ukrainas ranë dakord për një shkëmbim të gjerë të të burgosurve, por nuk njoftuan ndonjë hap konkret drejt përfundimit të luftës.
Një nga objektivat e takimit në Moskë është përfshirja e vendeve evropiane në procesin e negociatave. “Ne duam të shohim nëse mund t’i përfshijmë edhe evropianët në këtë format, në mënyrë që negociatat të bëhen shumëpalëshe”, deklaroi Kushner përpara nisjes drejt Moskës.
Ai bëri të ditur gjithashtu se së bashku me Witkoffin planifikonte të takohej me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në Dublin, më vonë gjatë ditës së sotme.


