Pas debatit të fundit publik lidhur me kushtet në konviktin studentor “Stiv Naumov” në Shkup, Delegacioni i BE-së ka ndjekur situatën dhe ka verifikuar faktet, përfshirë edhe përmes një vizite të përfaqësuesve të tij në këto ambiente. Në bazë të informacioneve të mbledhura, dëshirojmë të ofrojmë sqarimet e mëposhtme.
Bashkimi Europian, së bashku me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut dhe Bankën Gjermane për Zhvillim (KfW), ka mbështetur rinovimin e konviktit studentor “Stiv Naumov” në Shkup, si pjesë e një programi më të gjerë për përmirësimin e vendosjes së studentëve. Objektet e rinovuara u përuruan zyrtarisht më 30 shtator 2026 dhe janë ende nën garanci. Nëse vërehet ndonjë defekt ndërtimor ose probleme teknike, ato duhet të raportohen përmes kanaleve përkatëse, për t’u shqyrtuar dhe riparuar nga kontraktorët përgjegjës.
Trajtimi i problemeve reale dhe sigurimi i informacioneve të sakta janë thelbësore për mbrojtjen e interesave të studentëve dhe ruajtjen e besimit të opinionit publik. Studentët kanë të drejtë të shprehin shqetësimet e tyre dhe këto shqetësime duhet të merren seriozisht. Po aq e rëndësishme është të sigurohet që informacioni që ndahet publikisht të jetë i saktë dhe i verifikuar siç duhet. Pamje ose incidente të veçuara nuk e pasqyrojnë gjithmonë të gjithë situatën, ndaj përfundimet duhet të bazohen në fakte të vërtetuara.
BE-ja pret standarde të larta cilësie dhe llogaridhënieje nga të gjitha palët e përfshira në investimet e saj. Ndërsa autoritetet dhe kompania ndërtuese janë përgjegjëse për mirëmbajtjen dhe riparimin e defekteve, studentët poashtu mbajnë përgjegjësinë t’i përdorin ambientet me kujdes – para së gjithash, për të mirën e tyre.
Faktet kanë rëndësi. Po ashtu edhe studentët.


