Shkruan: Muharem Xhezairi
Pothuajse çdo ditë, në emisionet televizive debative, defilojnë eksponentë të partisë shqiptare në pushtet, të cilët përpiqen të imponohen si oratorë të mëdhenj, duke u mbështetur në një retorikë politike që më shumë synon të arsyetojë vendimet e tyre sesa të ofrojë përgjigje bindëse për pasojat që ato prodhojnë. Në veçanti, degradimi i përdorimit zyrtar edhe të gjuhës shqipe, gati-gati gjithandaj ku ishte, si dhe përpjekjet për të justifikuar heqjen e mekanizmit të balancuesit dhe zëvendësimin e tij me një koncept të paqartë të përgjegjësisë politike për bartësit e funksioneve publike, të gjitha këto ngrenë pikëpyetje serioze mbi mënyrën se si konceptohet përfaqësimi dhe barazia institucionale.
Ndërkohë, pothuajse çdo ditë jemi dëshmitarë të një orteku punësimesh, ku, sipas zhvillimeve që po vërehen në praktikë, përfituesit kryesorë duket se janë pjesëtarët e komunitetit maqedonas. Ky kontrast ndërmjet diskursit politik dhe realitetit institucional nuk mund të kalojë pa u analizuar. Sepse, çështja nuk është vetëm kush punësohet, por edhe mbi çfarë kriteresh, në çfarë raportesh përfaqësimi dhe në funksion të cilave parime të barazisë bëhen këto punësime.
Atëherë, çfarë përfaqësimi është ky? Si mund të emërtohet ndryshe kjo pabarazi institucionale? A kemi të bëjmë me një formë të diskriminimit strukturor, me dobësi dhe pafuqishmëri politike, apo me mungesë të përgjegjësisë publike?
Për ta kuptuar më mirë këtë fenomen, mund të shërbejë edhe një këndvështrim nga psikologjia e udhëheqjes. Teoria e kontingjencës e Fred Fiedlerit vë në pah se suksesi i udhëheqësit nuk përcaktohet vetëm nga pozita apo autoriteti formal, por edhe nga aftësia për t’iu përgjigjur kërkesave të situatës, për të menaxhuar marrëdhëniet dhe për të realizuar detyrat konkrete. Në këtë kuptim, një udhëheqje e orientuar drejt rezultateve nuk mund të shkëputet nga përgjegjësia për ruajtjen e besimit dhe kohezionit shoqëror.
Pikërisht këtu duhet kërkuar edhe përgjegjësia e këtyre pak shqiptarëve në pushtet. Udhëheqja nuk dëshmohet përmes paraqitjeve të shpeshta televizive, as përmes aftësisë për të dominuar debatet publike, por përmes vendimeve që prodhojnë rezultate, garantojnë trajtim të barabartë dhe krijojnë besim te qytetarët. Autoriteti politik mund të sigurojë pushtet formal, por nuk garanton vetvetiu legjitimitet shoqëror dhe besueshmëri institucionale.
Një shqetësim tjetër, jo më pak i rëndësishëm, është heshtja e intelektualëve, e profesionistëve dhe e individëve me përgjegjësi shoqërore. Në një shoqëri demokratike, reagimi ndaj pabarazive dhe padrejtësive institucionale nuk duhet të kushtëzohet nga përkatësia partiake, afërsia me pushtetin apo interesi personal. Heshtja, sidomos kur bëhet fjalë për çështje që prekin barazinë, dinjitetin dhe të ardhmen e një komuniteti, rrezikon të shndërrohet në normalizim të një realiteti që, natyrisht e detyrimisht, duhet të vihet në pikëpyetje.
Prandaj, debati nuk duhet të kufizohet te mbrojtja apo kundërshtimi i një mekanizmi të caktuar institucional. Ai duhet të përqendrohet te një pyetje shumë më thelbësore: A po ndërtojmë institucione që garantojnë barazi dhe përfaqësim të drejtë, apo po krijojmë një realitet ku (pa)përgjegjësia politike përdoret si mbulesë për pabarazinë institucionale?


