Studimi zbulon sa njerëz u besojnë influencuesve në rrjetet sociale. Vendi i parë do ju habitë

Studimi i Digital 2026 zbulon dallimet mes vendeve në konsumin e përmbajtjes së influencuesve. Afrika kryeson renditjen globale, ndërsa Europa regjistron mesataren më të ulët. Filipinet, Brazili dhe Gana janë tri vendet ku më shumë se 40% e përdoruesve të rrjeteve sociale ndjekin influencues.

Kultura e influencuesve është shpesh e lidhur me Shtetet e Bashkuara, ku kanë lindur dhe zhvilluar aktivitetin disa prej emrave dhe platformave më të mëdha të ekonomisë globale të rrjeteve sociale. Por të dhënat e fundit tregojnë se zakoni i ndjekjes së influencuesve është shumë më i përhapur në disa vende të Afrikës, Azisë dhe Amerikës Latine.

Sipas një analize të publikuar nga Visual Capitalist, bazuar në të dhënat e GWI për tremujorin e dytë të vitit 2025, Gana kryeson renditjen botërore me 46.8% të përdoruesve të rrjeteve sociale që ndjekin influencues. Në vendin e dytë janë Filipinet me 42.9%, ndërsa Brazili renditet i treti me 40.4%.

Të dhënat janë pjesë e raportit Digital 2026 Global Overview Report dhe përfshijnë 53 vende dhe territore. Studimi mat përqindjen e përdoruesve të rrjeteve sociale të moshës 16 vjeç e lart që deklarojnë se ndjekin influencues ose ekspertë në platformat sociale.

Surpriza e renditjes është pozicioni i Shteteve të Bashkuara. Pavarësisht ndikimit të madh në industrinë globale të krijuesve të përmbajtjes, SHBA renditet në vendin e 31-të, me vetëm 21.4%, pak përpara Kanadasë me 21.3%.

Nëse renditja analizohet sipas rajoneve, diferencat bëhen edhe më të dukshme. Afrika kryeson me një mesatare prej 33.4%, e ndjekur nga Amerika e Jugut me 30.2%. Azia regjistron 24.9%, ndërsa Amerika e Veriut 23%. Europa renditet e fundit me vetëm 20%.

Një tjetër e dhënë interesante është se të pesë vendet afrikane të përfshira në studim – Gana, Afrika e Jugut, Nigeria, Kenia dhe Egjipti – kanë përqindje më të larta se Shtetet e Bashkuara.

Në Europë, vetëm tri vende e kalojnë mesataren globale prej 22.6%: Norvegjia me 27.9%, Portugalia me 27.6% dhe Irlanda me 26.3%. Serbia renditet me 22.9%, Spanja me 22.9%, ndërsa Greqia dhe Kroacia kanë nga 21.7%.

Në skajin tjetër të renditjes ndodhen Rusia me 7.5%, Turqia me 11.4%, si dhe Japonia dhe Çekia me nga 14.4%. Diferenca mes Ganës dhe Rusisë arrin në 39.3 pikë përqindjeje.

Një studim tjetër i publikuar nga Instituti Reuters për Studimin e Gazetarisë në Universitetin e Oksfordit, në raportin News Influencers 2025, ofron një këndvështrim plotësues mbi këtë fenomen.

Sipas studiuesve, në vende si Brazili, Meksika, Indonezia, Filipinet, Tajlanda, Nigeria, Kenia dhe Afrika e Jugut, krijuesit individualë të përmbajtjes kanë fituar një ndikim të konsiderueshëm edhe në informimin e publikut. Në disa prej këtyre tregjeve, përdoruesit u kushtojnë më shumë vëmendje krijuesve të përmbajtjes sesa markave tradicionale mediatike dhe gazetarëve të tyre në rrjetet sociale.

Raporti identifikon disa faktorë që ndikojnë në këtë zhvillim: përdorimi intensiv i rrjeteve sociale, madhësia e audiencës, dallimet kulturore dhe fuqia e mediave tradicionale në secilin treg.

Në Indi, për shembull, përhapja e telefonave inteligjentë dhe internetit celular me kosto të ulët ka ndihmuar në rritjen e audiencës së krijuesve të përmbajtjes. Në Indonezi, influencuesit janë bërë pjesë e rëndësishme e konsumit të përmbajtjeve që lidhen me lajmet, argëtimin, stilin e jetesës dhe fenë. Ndërsa në Kenia, krijuesit e pavarur kanë luajtur rol edhe në dokumentimin e ngjarjeve politike dhe rasteve të dhunës policore.

Studimi i Reuters Institute evidenton gjithashtu një ndryshim në mënyrën se si audiencat e reja konsumojnë informacionin. Në grupmoshën nën 35 vjeç, 48% e përdoruesve të rrjeteve sociale i kushtojnë vëmendje krijuesve të përmbajtjes për lajmet, kundrejt 41% që ndjekin mediat tradicionale. Për grupmoshat mbi 35 vjeç, raporti është i përmbysur: 44% ndjekin më shumë mediat tradicionale, ndërsa 35% krijuesit e përmbajtjes.

Rritja e ndikimit të krijuesve të përmbajtjes nuk kufizohet vetëm te argëtimi, moda apo promovimi i produkteve. Ata po fitojnë gjithnjë e më shumë hapësirë në debatet politike, informimin publik dhe diskutimet mbi çështje shoqërore.

Sipas Reuters Institute, politikanët dhe institucionet po i kushtojnë gjithnjë e më shumë rëndësi kësaj audience, duke ftuar krijues përmbajtjesh në intervista, konferenca dhe informime zyrtare. Në të njëjtën kohë, studiuesit paralajmërojnë për rreziqet që lidhen me përhapjen e informacioneve të pasakta ose mashtruese nga persona që nuk zbatojnë standardet profesionale të gazetarisë.

Megjithatë, raporti i Visual Capitalist dhe të dhënat e GWI matin ndjekjen e influencuesve në përgjithësi, jo domosdoshmërisht ndikimin e tyre në informimin politik apo në vendimet e konsumatorëve. Kjo do të thotë se një përqindje e lartë ndjekësish nuk përkthehet automatikisht në ndikim më të madh në çdo aspekt të jetës publike.