Gjykatësi aktual në Gjykatën e Lartë Administrative, Subhi Jakupi, është zgjedhur kryetar i Gjykatës Administrative. Ai mori mbështetjen e shumicës së anëtarëve të Këshillit Gjyqësor, të cilët vlerësuan se programi i tij, përvoja e deritanishme dhe njohuritë në fushën e gjyqësorit administrativ e dallojnë nga kandidatët e tjerë.
Gjatë debatit, disa anëtarë të Këshillit theksuan aftësitë e tij drejtuese, përvojën e fituar në Gjykatën e Lartë Administrative dhe cilësinë e programit të prezantuar.
Kundër zgjedhjes së tij u deklarua vetëm Suzana Joshevska. Për pozitën e kryetarit të Gjykatës Administrative kishin kandiduar Gjoko Zhivkovski, gjykatës në Gjykatën Administrative me 12 vjet përvojë, Subhi Jakupi, gjykatës në Gjykatën e Lartë Administrative me shtatë vjet përvojë, Edita Naskova, gjykatëse në të njëjtën gjykatë me 14 vjet përvojë dhe Gazmend Fejzuli, gjykatës në Gjykatën Administrative me 18 vjet përvojë.
Para se të emërohej gjykatës në Gjykatën e Lartë Administrative në vitin 2018, Jakupi ishte i njohur për publikun si anëtar i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve. Jakupi kishte mbajtur edhe postin e zëvendësministrit të Drejtësisë nga radhët e BDI-së


