Një anije cisternë nafte është përfshirë nga flakët në Ngushticën e Hormuzit, pasi dyshohet se ka goditur një minë detare. Lajmi është bërë i ditur nga Garda Revolucionare e Iranit, ndërsa është raportuar nga transmetuesi shtetëror IRIB.
Më herët, Garda Revolucionare njoftoi se dy cisterna nafte ishin ende duke u djegur, pasi kishin goditur mina teksa tentonin të kalonin nëpër ngushticë përmes rrugëve që autoritetet iraniane i cilësuan si të paautorizuara.
Irani pretendon se ushtron kontroll mbi Ngushticën e Hormuzit, një korridor strategjik detar përmes të cilit kalonte rreth një e pesta e eksporteve botërore të naftës përpara nisjes së luftës në Lindjen e Mesme, më 28 shkurt, pas sulmeve SHBA-Izrael ndaj Republikës Islamike.
Që prej shpërthimit të konfliktit, Irani ka shënjestruar në mënyrë të përsëritur anijet që tentojnë të kalojnë nëpër ngushticë pa autorizimin e tij.
Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara kanë vendosur një bllokadë ndaj porteve iraniane, duke përshkallëzuar më tej tensionet në këtë rrugë jetike për tregtinë globale të energjisë.


