Turqia dhe Arabia Saudite nënshkruan të martën një marrëveshje për avancimin e projekteve të energjisë së rinovueshme, në margjinat e samitit për klimën COP31 në Antalya, njoftoi ministri turk i Energjisë dhe Burimeve Natyrore, Alparslan Bayraktar, transmeton Anadolu.
Në një postim në platformën sociale turke NSosyal, Bayraktar tha se në prani të presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, nënshkroi një memorandum mirëkuptimi për bashkëpunimin në projektet e energjisë elektrike me ministrin saudit të Energjisë, Abdulaziz bin Salman Al Saud, pas takimit të këtij të fundit me Erdoganin.
Ai shtoi se marrëveshja mbështetet në një marrëveshje ndërqeveritare të nënshkruar në Riad më 3 shkurt, e cila hyri në fuqi më 21 tetor dhe përcakton kuadrin për zhvillimin nga kompania saudite e energjisë ACWA Power të projekteve të energjisë së rinovueshme me kapacitet prej 5.000 megavatësh në Turqi, në dy faza.
Bayraktar tha se është i kënaqur me përparimin e fazës së parë, e cila përfshin projekte të energjisë diellore me kapacitet prej 2.000 megavatësh në provincat qendrore të Turqisë, Sivas dhe Karaman.
“Me marrëveshjen e nënshkruar sot në Antalya, po bëjmë një hap tjetër përpara në përpjekjet tona për të realizuar kapacitetin shtesë prej 3.000 megavatësh, të planifikuar për fazën e dytë”, tha Bayraktar.
“Në këtë kuadër, parashikojmë zhvillimin e parqeve të energjisë së erës, të mbështetura nga infrastruktura e transmetimit të energjisë elektrike me rrymë të vazhduar të tensionit të lartë dhe sistemet e ruajtjes së energjisë me bateri”, shtoi ai.
Bayraktar tha se këto investime do të ndihmojnë në zgjerimin e kapaciteteve të Turqisë për energjinë e rinovueshme, forcimin e rrjetit të saj elektrik dhe rritjen e fleksibilitetit të sistemit, ndërsa do të thellojnë lidhjet energjetike me Arabinë Saudite.
“Ne do të vazhdojmë ta shndërrojmë besimin në tranzicionin energjetik dhe mjedisin e investimeve në Turqi në projekte konkrete”, tha ai.


