Presidenti amerikan, Donald Tramp, mbrëmë deklaroi se beson që lufta në Iran “praktikisht ka përfunduar në aspektin ushtarak”.
“Lufta me Iranin praktikisht ka pëfunduar nga aspekti ushtarak. Ne vetëm po ruajmë gjendjen e statusit kuo”, deklaroi Trampi në Shtëpinë e Bardhë pas takimit me kryeministrin e Katarit.
Presidenti amerikan shtoi se Iranit i është “prerë koka”, por potencoi se ai ende po kërkon një mënyrë për të ofruar një zgjidhje të përhershme që do të neutralizojë programin bërthamor të Teheranit.
“Në këtë moment, nuk duket të ketë një nevojë të madhe për veprime ushtarake. Por ne jemi të përgatitur të veprojmë nëse ndryshojnë rrethanat”, tha Trampi. Ai përsëriti se beson që konflikti me Teheranin do të përfundojë së shpejti.
Trampi shtoi se Katari dhe Arabia Saudite janë të interesuara në arritjen e një zgjidhjeje paqësore të konfliktit dhe shprehu kënaqësinë me bllokadën detare amerikane ndaj Iranit në Ngushticën e Hormuzit.
Kryeministri i Katarit, sheiku Mohamed bin Abdulrahman Al Tani, deklaroi se dje pati bisedime pozitive me presidentin dhe zëvendëspresidentin amerikan Xhej Di Vens.
“Jam mirënjohës për bisedën pozitive për arritjen e një marrëveshjeje dhe vendosjes së paqes në rajon”, shkroi ai në rrjetin social Iks.
Ndërkohë, kryetari i Këshillit suprem për siguri kombëtare të Iranit, Mohsen Rezai, deklaroi se Uashingtoni duhet të “ndalojë përhapjen e lajmeve të rreme për negociata joekzistente” dhe se ishte koha për të pranuar shtatë kushtet e vendosura nga Irani.
“Lufta kundër Iranit e ka shkatërruar tashmë qeverinë amerikane. Por Uashingtoni po sillet si një lojtar bixhozi i dëshpëruar. Lëshoni letrat. Ndaloni së sajuari lajme të rreme për negociata joekzistente. Ndaloni së mohuari rendin e ri në Azinë Perëndimore. Është koha të pranojmë shtatë kushtet që Irani vazhdon të vendosë”, shkroi Rezai në kanalin e tij në Telegram.


