Si e ndërtoi Rexhep Rexhepi emrin e tij në industrinë zvicerane të orëve luksoze

Nga praktikanti te emrat më të vlerësuar të orëndreqësisë botërore, rrugëtimi i Rexhep Rexhepit.

Me një karrierë të ndërtuar gradualisht në Gjenevë, orëndreqësi me origjinë nga Kosova arriti të krijojë markën e tij dhe të fitojë vlerësimin më të lartë në industrinë prestigjioze të orëve zvicerane, transmeton albinfo.ch.

Suksesi i Rexhep Rexhepit në industrinë zvicerane të orëndreqësisë nuk është rezultat i një arritjeje të vetme, por i një rrugëtimi profesional që nisi në moshë të re dhe u zhvillua hap pas hapi, përmes formimit, përvojës dhe krijimit të identitetit të tij në një prej sektorëve më konkurrues në botë.

I lindur në Kosovë, Rexhepi u vendos në Zvicër rreth moshës 12-vjeçare. Interesimi për orëndreqësinë do ta orientonte drejt një profesioni që kërkon jo vetëm njohuri teknike, por edhe durim, precizitet dhe përkushtim të jashtëzakonshëm ndaj detajeve.