Ish-zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Dimçe Arsovski, është emëruar drejtor i ri i Qendrës Kulturore Rinore (QKR) në Shkup. Informacioni u konfirmua sot, pasi drejtori i deritanishëm, Arben-Beni Shaqiri, dha dorëheqje nga kjo detyrë. Shaqiri ishte emëruar drejtor në janar të vitit 2024 nga kryetarja e atëhershme e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska. Shaqiri publikoi një fotografi me Arsovskin në rrjetet sociale, duke njoftuar se në të ardhmen do të jetë pjesë e kabinetit të kryetarit të Shkupit, Orce Gjorgjievski.
“Qytetarë të nderuar, dëshiroj t’ju njoftoj se nuk do ta ushtroj më funksionin e drejtorit të Qendrës Kulturore Rinore-Shkup. Për këtë arsye, i kam paraqitur kryetarit të Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, dorëheqje të parevokueshme për arsye personale. Megjithatë, me propozim të kryetarit, do të vazhdoj të jem pjesë e kabinetit të tij, në pozitën e këshilltarit për kulturë, ku do të përpiqem të kontribuoj në avancimin dhe zhvillimin e kulturës në Shkup nga një këndvështrim tjetër. Drejtor i ri i QKR-së do të jetë Dimçe Arsovski, të cilit i dëshiroj sukses dhe durim. Besoj se si i ri do të japë maksimumin për t’u përballur me të gjitha vështirësitë me të cilat përballet kultura në përgjithësi gjatë viteve të fundit. Vazhdojmë tutje…”, thuhet në njoftimin e Shaqirit.
Dimçe Arsovski ka qenë zëdhënës i VMRO-DPMNE-së në periudhën 2018–2021.


