SHBA godet me avion ushtarak anijen e mallrave në Gjirin e Omanit, dyshohet se po shkelte bllokadën ndaj porteve iraniane

Një avion ushtarak amerikan ka goditur një anije mallrash në Gjirin e Omanit, pasi ajo dyshohet se kishte tentuar të shkelte bllokadën detare të vendosur nga Shtetet e Bashkuara ndaj porteve iraniane.

Ngjarja ndodhi të shtunën, më 7 nëntor, kur forcat amerikane shënjestruan anijen M/V Huda, e cila valëviste flamurin e Shën Kitsit dhe Nevisit. Sipas Komandës Qendrore të SHBA-së (CENTCOM), avioni përdori municione precize duke goditur pjesën e pasme të anijes, me qëllim bllokimin e saj dhe pamundësimin e vazhdimit të lundrimit.

Sipas versionit të autoriteteve amerikane, anija ishte afruar pranë një porti iranian dhe po përpiqej të largohej nga zona, në kundërshtim me bllokadën detare. CENTCOM pretendon se ekuipazhi kishte injoruar disa paralajmërime të përsëritura nga forcat amerikane dhe se anija kishte tentuar disa herë të shkelte kufizimet e vendosura.

Përpara ndërhyrjes, forcat amerikane i kishin urdhëruar anëtarët e ekuipazhit të largoheshin nga zonat që do të goditeshin. Megjithatë, në deklaratën e saj, CENTCOM nuk dha detaje nëse kishte persona të plagosur apo sa i madh ishte dëmi i shkaktuar në anije.

Në raportin e publikuar, komanda amerikane bëri të ditur se 147 anije tregtare u janë bindur urdhrave të forcave amerikane dhe kanë ndryshuar kursin, ndërsa pesë të tjera janë ndaluar pasi kanë refuzuar të zbatojnë udhëzimet.

CENTCOM deklaroi gjithashtu se më herët kishte shkatërruar dhjetë cisterna iraniane, të cilat i lidh me një rrjet të Gardës Revolucionare të Iranit.

Goditja ndaj anijes M/V Huda është sulmi i parë i njoftuar nga SHBA-ja ndaj një anijeje mallrash në këtë zonë pas gati një muaji. Më 10 tetor, forcat amerikane goditën cisternën Ocean Molica në Gjirin e Omanit, e cila, sipas pretendimeve të Uashingtonit, kishte lundruar gjithashtu nga një port iranian.

Ndërkohë, sipas një vlerësimi të CENTCOM-it, bllokada detare ka penguar eksportet iraniane të naftës bruto me një vlerë që tejkalon 25 miliardë dollarë. Ky pretendim i autoriteteve amerikane nuk është verifikuar në mënyrë të pavarur.