Sulmet ruse ndaj infrastrukturës energjetike dhe transportuese të Ukrainës shkaktuan dëme të mëdha në shumë pjesë të vendit. Në Kievi duhej të mbyllej sërish një urë e rëndësishme.
Sulmet e forta ruse ndaj objekteve energjetike të Ukrainës natën drejt së shtunës shkaktuan ndërprerje të furnizimit me energji elektrike në një pjesë të madhe të vendit. Nga rrjeti elektrik u shkëputën banorët e rajoneve të Kievit, Dnipropetrovsk, Donetsk, Kharkiv dhe Zhytomyr, njoftoi Ministria e Energjisë.
Rrjeti elektrik është dëmtuar rëndë. Punëtorët po punojnë intensivisht për rivendosjen e furnizimit me rrymë. Megjithatë, siç theksohet, “alarmet e vazhdueshme ajrore” pengojnë riparimet.
Në kryeqytetin Kiev, me rreth tre milionë banorë, kryetari i bashkisë Vitali Kliçko njoftoi se ndërprerja e rrymës ndikon edhe në furnizimin me ngrohje qendrore dhe ujë.
Dëmtime në urën e rëndësishme Veriore
Është dëmtuar edhe ura e rëndësishme Veriore mbi lumin Dnipro në Kiev, e cila u mbyll përkohësisht për qarkullim. Ajo lidh pjesën perëndimore të qytetit me zonën lindore.
Kliçko xhiroi një video të shkurtër të urës ku shihen dëmtime në kolovoz dhe në barrierat mbrojtëse. Sipas kryetarit të bashkisë, ishin këputur edhe linjat e kontaktit për trolejbusët. Riparimet kanë filluar tashmë.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy deklaroi se bëhet fjalë për një sulm “të kombinuar” ndaj sistemit energjetik të vendit. Në sulm u përdorën 36 raketa dhe më shumë se 170 dronë. Sipas autoriteteve, janë plagosur të paktën nëntë persona, ndër të cilët edhe një fëmijë.
“Rusia po përgatitet për bisedimet trepalëshe duke goditur infrastrukturën kritike me raketa balistike”, shkroi Zelenskyy në rrjetet sociale.
Të martën dhe të mërkurën e ardhshme në Abu Dabi, kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe, pritet të zhvillohen bisedime të reja për përfundimin e luftës mes Ukrainës dhe Rusisë me ndërmjetësimin e SHBA-së. Megjithatë, perspektivat për përparim në ndalimin e agresionit rus, që vazhdon që nga shkurti i vitit 2022, vlerësohen si të vogla.
Tashmë të premten Zelenskyy paralajmëroi për sulme të reja ruse ndaj objekteve energjetike dhe infrastrukturës tjetër në vend. Ai u referua informacioneve nga shërbimet e inteligjencës. Në të njëjtën kohë, presidenti ukrainas kërkoi sërish nga aleatët perëndimorë raketa shtesë ndërhyrëse për sistemin e mbrojtjes ajrore “Patriot”.



